E Diel, 1 Nëntor 2026

Statusi ngre në protestë minatorët, kërcënojnë me grevë urie



TIRANË – Punonjësit e sektorit minerar në të gjithë vendin janë ngritur dje në një protestë masive, duke kërcënuar se do të hyjnë në grevë urie nëse nuk miratohet statusi i minatorit. Në tubimet e organizuara në rrethet e Tiranës, Durrësit, Mirditës, Elbasanit, Kukësit dhe Korçës kanë kërkuar që të rishikohet statusi, mosha e daljes në pension, pagat dhe sigurimi teknik i punonjësve të minierave. Drejtuesit e protestës akuzuan kreun Sindikatës Gëzim Kalaja se për interesa të veçanta bashkëpunon me Berishën dhe nuk mbron të drejtat e punëtorëve ashtu siç parashikon edhe Sindikata e Pavarur që ai drejton. Ata mbanin pankarta në duar ku shkruhej: “Kalaja puthet me Berishën”.
Protesta
Kreu i shoqatës Fiqiri Xibri akuzoi Ministrin e Financave, Ridvan Bode, kryeministrin Sali Berisha dhe kreun e Sindikatës, Gëzim Kalaja se po bashkëpunojnë kundër statusit të minatorit. “Berisha, Bode, Kalaja kanë interesa të përbashkëta dhe nuk duan minatorë, por skllevër të punës. Ata nuk duan të luftojnë korrupsionin”, - tha Xibri. Ai paralajmëroi se protesta e tyre ka si qëllim tu tregojë qeverisë dhe Sindikatës së Punëtorëve se minatorët kanë në dorë edhe zgjedhjet e ardhshme. “Me protestën e ditës së premte duam të tregojmë se jemi të organizuar më shumë se kurrë. Në shkallë vendi jemi 200 mijë minatorë dhe të jenë të sigurt qeveritarët që nuk do të marrin asnjë votë për 2009”, - tha Xibri.
Rrethet
Një grup minatorësh doli dje në grevë para Bashkisë së Durrësit, në mbështetje të grevës së minatorëve të tjerë në Tiranë dhe rrethet e tjera. Minatorët e Durrësit kanë protestuar duke kërkuar statusin e minatorit, si dhe kundër ndërprerjes së paligjshme të pensioneve.
Minatorët kanë deklaruar se protesta para Bashkisë është në shenjë të protestës kundër institucioneve qeveritare që deri më tani ishin treguar veshshurdhër kundrejt kërkesave të tyre. Ata thanë se në rast të mosplotësimit të kërkesave muajin e ardhshëm do të hyjnë në grevë urie në Tiranë, bashkë me pjesëmarrës të tjerë nga të gjitha qytetet. Ndër të tjera minatorët kërkuan daljen në pension në moshën 50-vjeçare. “Çdo ditë tetë minatorë ndërrojnë jetë”, - u shprehën ata, duke i mbështetur kërkesat e tyre në vështirësitë e punës dhe në jetën e shkurtër të gjithsecilit.
Edhe në qytetin e Rrëshenit kanë dalë në protestë me qindra minatorë, të cilët kanë parashtruar kërkesat e mësipërme. Përfitimi nga skemat e daljes në pension sipas praktikave perëndimore, garantimi i sigurimit të jetës për punonjësit e minierave dhe përmirësimi i kushteve ishin ndër kërkesat e shumta që shtruan minatorët mirditorë.
Minatorët kanë nisur protestat që në muajin qershor. Ata bënë një grevë urie para godinës së Presidencës. Organizatorët kanë deklaruar se do të protestojnë në çdo kohë deri në plotësim të kërkesave të tyre nga qeveria.

27 Shtator 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›