E Shtunë, 31 Tetor 2026

Arrestohet polici i Komisariatit Nr. 6, ishte përfshirë në trafik droge



GJIROKATËR – Edhe një efektiv tjetër policie ka rënë në pranga, pasi dyshohet se është implikuar në trafikun e drogës. Burimet zyrtare të Policisë së Qarkut të Gjirokastrës bëjnë të ditur se është prangosur shtetasi Gëzim Dragoti, 37-vjeçar, lindur në Lushnjë dhe banues në Tiranë, me detyrë punonjës policie në Komisariatin Nr. 6 në Kombinat, të Drejtorisë së Policisë së Qarkut Tiranë. Ndalimi i tij është bërë nga Sektori i Luftës Kundër Krimit të Organizuar në Drejtorinë e Policisë Gjirokastër pas lëshimit të urdhrit nga prokuroria e qytetit jugor. Ai dyshohet se ka qenë pjesëmarrës në një rast të trafikut të lëndëve narkotike së bashku me shtetasin Bujar Liçollari rreth dy vjet më parë. Operacioni për zbulimin dhe ndalimin e tij është bërë në kuadër të procesit për zbulimin e ngjarjeve të vjetra të trafikut të lëndëve narkotike.
Pas dy vjetësh, më në fund u bë e mundur që të evidentohej dhe të dokumentohej me prova ligjore autori i dytë i ngjarjes. Në bazë të provave ligjore të paraqitura nga strukturat policore, dy ditë më parë organi i akuzës ka nxjerrë urdhër për ekzekutimin e vendimit penal të Gjykatës së Rrethit Gjirokastër, e cila ka caktuar për të masën e sigurisë “arrest në burg”, për veprën penale të “trafikut të lëndëve narkotike”.
Më datën 22 shtator 2006, në kuadër të operacionit të koduar “Ballkan antitrafik”, me pjesëmarrjen e shteteve Shqipëri-Greqia dhe Maqedoni, Forcat e Drejtorisë së Policisë Gjirokastër në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Tepelenë, po ushtronin një kontroll në vendin e quajtur Luzat të rrethit Tepelenë. Gjatë kontrollit të ushtruar në automjetin tip “Benz” me targa TR 85 02 E, të drejtuar nga Bujar Liçollari, me detyrë punonjës Policie në Komisariatin e Ruajtjes së Objekteve të Rëndësisë së Veçantë në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Tiranë, evidentuan të fshehur në bagazhin e këtij mjeti 75 kilogramë lëndë narkotike Canabis Sattiva. Polici i objekteve, atëherë u arrestua në flagrancë. Pas një pune të mirëfilltë profesionale të Specialistëve të Luftës Kundër Krimit të Organizuar në Drejtorinë e Policisë Gjirokastër në bashkëpunim me Policinë Shkencore dhe Drejtorinë e Luftës Kundër Krimit të Organizuar në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, u evidentua dhe Dragonit, polici tjetër i zhytur në këtë trafik lëndësh narkotike. Pak javë më parë, gjatë një vizite në rrethin e Gjirokastrës, vetë kreu i Policisë së Shtetit, Ahmet Prençi deklaroi se po hetohen mbi 60 punonjës policie të përshirë në vepra të ndryshme penale.

27 Shtator 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›