Përmbytet blloku i pallateve, shkatërrohen tubacionet e kolektorëve
BERAT - Çarja e kolektorit të ujërave të larta prej më shumë se 2 muajsh ka bërë që një nga lagjet e qytetit të Beratit të përmbytet e gjitha. Përmbytjet në lagjen “30 Dhjetori” kanë ardhur si rezultat i çarjes që ka pësuar tubacioni kryesor që kalon nëpër zonë. Janë rreth 1200 banorë të 18 pallateve përreth stadiumit "Tomorri" që përballen çdo ditë me ndotjen dhe erën e keqe që ka shkaktuar akumulimi i ujërave në të gjithë sipërfaqen përreth këtyre pallateve. Vetë banorët shprehen se kjo situatë ka qenë shqetësuese prej vitesh në këtë lagje, por ajo është përkeqësuar mjaft 2 muajt e fundit nga çarja e këtij tubacioni dhe shpërthimi i ujërave të tij në gjithë zonën. Banorët shprehen se ndoshta këto ujëra të larta janë përzierë edhe me ndonjë tubacion të amortizuar të ujërave të zeza. Të ndodhur në këto kushte, vetë banorët janë ankuar shumë herë në Drejtorinë e Ujësjellës-Kanalizimeve Berat, por deri tani askush nuk ka marrë asnjë masë për të ndërhyrë. Drejtori i Drejtorisë së Ujësjellës-Kanalizimeve, Fatmir Shehu është shprehur për gazetën se në këtë lagje nuk ka asnjë tubacion të çarë të ujërave të zeza, siç edhe pretendojnë banorët, por problemet që lindin në këtë zonë kanë të bëjnë me kolektorin e ujërave të larta, që fillon nga maja e “Pusit me Çati", kalon më pas përpara sheshit të stadiumit për tu derdhur përfundimisht në lum. “Ky kolektor i vjetër”, - pohon Shehu, - “si rezultat i mospastrimit në vite është bllokuar në më shumë se gjysmën e sipërfaqes së tij nga aluvionet, dhe kjo ka bërë që sa herë që reshjet janë me intensitet të lartë, ai të shpërthejë përpara sheshit të stadiumit "Tomorri" dhe në të gjithë bllokun e pallateve përreth tij, pasi ky tubacion, tashmë i bllokuar, nuk e përcjell dot sasinë e madhe të ujit deri në grykëderdhjen e lumit.
Ekzekutohet me armë 65-vjeçari, zhduket autori
SHKODWR – Sërish atentat pas dy vrasjeve misterioze të ndodhura në Shkodër dhe Mirditë gjatë fundjavës së kaluar. Një 65-vjeçar është ekzekutuar me armë në një fshat të thellë të rrethit të Shkodrës. Sipas burimeve të policisë, viktimë është shtetasi Prendush Podja, banor në Benë të Shllakut. Ende nuk dihen detaje rreth krimit, ndërkohë që policisë i është dashur kohë për të mbërritur në vendin e ngjarjes, pasi fshati është i largët, gjë që i ka krijuar lehtësi për tu zhdukur autorit të krimit. Ngjarja ka ndodhur pasditen e së premtes dhe të dhënat e para policore flasin për një grindje për motive pronësie. Sipas tyre i dyshuar është një bashkëfshatar me viktimën, me të cilin ai ka pasur një sherr për një rrugë kalimi. “Krimi ka ndodhur në shtëpinë e autorit të dyshuar të ngjarjes. Viktima është qëlluar me armë zjarri dhe ka gjetur vdekjen e menjëhershme”- thonë burimet e policisë. Policia është nisur për në vendin e ngjarjes dhe pritet të japë të tjera detaje, pasi të bëjë këqyrjen e vendin dhe të mbyllë ekspertizën. Ditën e shtunë ndodhen dy atentate në veri të vendit. Në Malësinë e Madhe vdiq Enver Hysenaj në një pritë të organizuar nga persona ende të paidentifikuar. Ndërsa në Kodër Spaç të Mirditës u vra një 19-vjeçar, ku dyshohet se krimi është bërë për motive hakmarrje.
27 Shtator 2008