E Shtunë, 31 Tetor 2026

Përmbyset ekskavatori në rrugë, vdes drejtuesi

FIER- Arben Trakalaci, banor i fshatit Pojan rrethi Fier, 35 vjeç, ka gjetur vdekjen në mesditën e së enjtes si pasojë e goditjeve të shumta dhe hemorragjisë së brendshme, shkaktuar nga goditjet që ai ka marrë nga përmbysja e një mjeti të rëndë tip ekskavator, mjet të cilin e drejtonte ai vetë. Në fakt 35-vjeçari ka qenë duke punuar si manovrator, në vendin e quajtur “Kodrat pranë liqenit të Lalarit”, në rrethin Fier. Dhjetëra mjete të tonazhit të rëndë, skrep, mjete vetëshkarkuese, të një firme ndërtim nënkonraktuese e një kompanie të huaj nafte që operon në zonën naftëmbajtëse Fier, kanë qenë duke punuar në hapjen e një sheshi ndërtimi buzë liqenit të Lalarit. Punimet kanë kohë që kanë filluar, sipas lejes së ndërtimit dhe dokumenteve të tjera ligjore të miratuar nga ana e KRRT-së Fier. Viktima ka qenë duke manovruar me mjetin që drejtonte, ekskavator i tonazhit të rëndë, e duke ngarkuar me mbetje dherash të përfituar nga gërryerja e kodrës ku do të ndërtohet dhe objekti, një mjet tip “Man” po i tonazhit të rëndë. Sipas dëshmitarëve në vendngjarje, në çastin kur ai po përpiqej të lëvizte duke kryer manovra para dhe pas në kodrën e dheut të përfituar nga gërryerjet, ekskavatori është batuar duke rënë përmbys e zënë në vete drejtuesin. Kabina ku ai ishte duke manovruar ekskavatorin është shtypur tërësisht, duke i shkaktuar atij plagë të rënda. Punonjës të shumtë, si dhe shokë të tij në vendngjarje, janë munduar t’i japin ndihmën e parë. Por përpjekja ka qenë e kotë. I plagosur dhe gati pa ndjenja, ai është nisur në drejtim të spitalit të qytetit Fier. Rrugës për në spital, si pasoj e plagëve dhe hemorragjisë së brendshme, 35-vjeçari ka ndërruar jetë.

Në vendngjarje kanë mbërritur forcat e policisë si dhe grupi i ekspertëve Këta të fundit janë duke punuar për të nxjerrë shkaqet e vdekjes. Paraprakisht, mendohet manovrimi i gabuar. Ndërsa trupi i pajetë i viktimës është dërguar për në morgun e qytetit Fier.

Policia ende nuk ka dhënë një version të plotë zyrtar për këtë ngjarje të rëndë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›