Arrestohet organizatori i atentatit të dështuar ndaj Lul Berishës
ITALI/ Policia fqinje ka vënë në pranga 33-vjeçarin Kristian Begu. Ideoi vrasjen e kreut të bandës 4 vjet më parë
Përfundon në prangat e policisë italiane njëri prej anëtarëve të Bandës së Durrësit, i cilësuar si një nga personat që ka organizuar një vrasje të mbetur në tentativë ndaj Lulzim Berishës, në prill të vitit 2005. Kristian Begu, 33 vjeç, lindur në Durrës, akuzuar për veprën penale të "vrasjes së mbetur në tentativë, e kryer në bashkëpunim", është arrestuar dje në Torino pas urdhrit ndërkombëtar për arrestimin e tij.
Begu, gjatë viteve të qëndrimit në arrati është hetuar me masën e sigurisë "arrest me burg", në mungesë, ndërsa në mars të këtij viti Gjykata e Shkallës së Parë në Tiranë nxori një mandat arresti ndërkombëtar për ndalimin e tij. Kapja e tij u bë e mundur vetëm pesë muaj pas shpalljes në kërkim ndërkombëtar. Anëtari i Bandës së Durrësit, që strehohej në Itali prej gati katër vjetësh, u bë i njohur në vitin 2005, kur tentoi të eliminonte fizikisht drejtuesin e kësaj bande, Lul Berishën. Vepra për të cilën akuzohet 33-vjeçari Begu është kryer në bashkëpunim me dy persona të tjerë, anëtarë të së njëjtës bandë.
Plani për eliminimin e Lulzim Berishës ishte menduar mirë nga një grup personash, midis tyre Endrit Dokle dhe Adriatik Coli, ndërsa detyra e hakmarrjes iu besua Kristian Begut, kundrejt një shpërblimi të caktuar. Në mesditën e datës 5 prill të vitit 2005, personat që ishin bindur nga Kristian Begu për të vrarë Lul Berishën kundrejt shpërblimit, mbikëqyrën kapon e Bandës së Durrësit me qëllim për ta vrarë. Vrasja që ishte planifikuar nga rivalët e Lul Berishës, nuk u realizua, duke mbetur në tentativë, për shkak se automjeti në të cilin udhëtonin personat që kishin ideuar vrasjen e të fortit të Durrësit, u bllokua atë ditë në qytetin bregdetar nga një punonjës policie i qarkullimit rrugor në Durrës. Automjeti tip "Pasat", me targa të huaja u ndalua, duke shmangur në këtë mënyrë vrasjen.
Pas dështimit të atentatit, për t'i shpëtuar kapjes së policisë, Kristian Begu, në atë kohë 29 vjeç, arratiset në drejtim të Italisë, duke qëndruar në shtetin fqinj. Sipas mediave italiane, i arrestuari në Torino nëpërmjet avokatëve të tij, ka kërkuar azil politik në shtetin fqinj, me argumentin se jeta e tij në Shqipëri është e rrezikuar. Vetëm tre muaj më parë, një tjetër anëtar i Bandës së Durrësit u ekstradua nga Italia, pas arrestimit për llogari të drejtësisë shqiptare.
Bujar Gashi u ekstradua në Shqipëri, pasi ndaj tij Gjykata e Krimeve të Rënda kishte marrë masën e sigurisë "arrest me burg" në mungesë për disa akuza, si pjesëmarrje në organizata kriminale dhe vrasje me paramendim e kryer në bashkëpunim. Ky i fundit akuzohet si autori i dyshuar i vrasjes së Dritan Dishës, ngjarje kjo e ndodhur në Durrës në vitin 2000.