E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kartat e identitetit, emigrantët në Shkodër ngrihen në protestë

PROBLEMET/ "Kuponat po shiten në tregun e zi" është vetëm njëra nga akuzat e ngritura ndaj shtetit

SHKODËR - Kuponët për kartat e identitetit po blihen në tregun e zi, ndërsa ata po rrezikojnë vendet e punës për shkak të mospajisjes me këtë dokument. Pas ngritjes së herëpashershme të zërit, por vazhdimit në të njëjtën situatë, emigrantët në Shkodër kanë organizuar paraditen e së shtunës një protestë para mjediseve të Bashkisë së Shkodrës. Të zemëruar ata rrëfejnë se janë kthyer nga autoritetet në pikat e kalimit kufitar pikërisht për shkak të mospajisjes me dokumentin e ri të identifikimit.

Ndërsa nga ana tjetër, kur kthehen në qytet nuk kanë mundësi për të realizuar një gjë të tillë. Megjithëse kuponat po i blejnë nën dorë me një çmim prej 1500 lekësh, ata vazhdojnë të mos pajisen me karta identiteti. Një situatë që vazhdon prej dy javësh ka bërë që shtetasit shqiptarë që jetojnë jashtë shtetit dhe që janë të regjistruar në qytetin e Shkodrës, të mblidhen para bashkisë duke kërkuar zgjidhje të problemit.

Emigrantët ankohen për radhët pa fund, ndërsa akuzojnë për shitjen e kuponave në tregun e zi me çmime të larta. "Kam qëndruar për orë të tëra në radhë tek posta shqiptare duke pritur për t'u pajisur me kupona, dhe nuk e kam siguruar pasi kishte shumë njerëz. Por më pas i kam gjetur në fshatin e lindjes, në Grudë-Fushë, në të zezë. Një punonjës i policisë m'i ka siguruar ato me çmimin prej 1 500 lekësh të reja, duke më pohuar se ka kohë që siguron kupona në të zezë",- deklaron Ndue Marashi, që është njëri nga emigrantët që protestoi para Bashkisë së Shkodrës.

Radhët e gjata

Në fakt, sezoni i verës ka shtuar fluksin e aplikimeve në zyrat e gjendjes civile në të gjithë vendin për letërnjoftimet elektronike dhe për pasaportat e reja biometrike. Dhjetëra qytetarë, kryesisht emigrantë, prej ditësh presin në radhë për të aplikuar ndërsa hasin në mungesën e sporteleve, mungesën e internetit dhe në ritmet e ulëta të punës së punonjësve.

Ata ankohen për papërgjegjshmëri të strukturave kompetente, ndërsa kërkojnë që në raste të tilla qeveria duhet të marrë masa për shtimin e sporteleve të aplikimit. "Është e palogjikshme që të shkosh deri në Kakavijë dhe të të kthejnë në kufi, pastaj të vish në Shkodër dhe të presësh në radhë për t'u pajisur me karta. Dhe për më tepër, të hasësh në paaftësinë dhe papërgjegjshmërinë e punonjësve të zyrës së aplikimit. Në këtë mënyrë ne rrezikojmë kthimin në vendet ku jetojmë dhe punojmë së bashku me fëmijët",- deklaron një nga emigrantët protesues.

Reagimi

Ndërkohë, Bashkia e Shkodrës me anë të një deklarate për shtyp është shprehur se ajo po ndjek me vëmendje shqetësimin e qytetarëve në lidhje me problemet në sportelet e aplikimit për karta dhe pasaporta biometrike. Si rrjedhojë, gjatë këtyre ditëve ajo ka kontaktuar me drejtuesit e Ministrisë së Brendshme dhe me Drejtorinë e Përgjithshme të Gjendjes Civile për zgjidhjen sa më parë të këtij problemi. Ndërkohë që megjithë këmbënguljen e bashkisë që sportelet të qëndrojnë të hapura edhe në ditët e shtuna e të diela, një gjë e tillë nuk është arritur të realizohet pasi kompania SAGEM, e cila ka të drejtën e realizimit të këtij procesi, nuk e ka pranuar një gjë të tillë.

Kartat, probleme në shumë qytete

Në të gjithë vendin emigrantët po vuajnë pajisjen me karta identiteti dhe me pasaporta biometrike. Shkodra, Lezha, Fieri, Elbasani janë vetëm disa nga qytetet ku zëri është ngritur për të protestuar për çështje të tilla. Mungesa e sporteleve, mungesa e internetit, mungesa e kuponave, mbyllja në fundjavë e sporteleve rezultojnë të jenë vetëm disa prej problemeve. Ndërkohë emigrantëve në kufi u kërkohet që të jenë të pajisur me karta. Shumë prej tyre thonë se në vend që të pushonin në kohën që kanë ardhur në Shqipëri, pushimet i kanë kaluar pas dyerve të zyrave ku aplikohet pasi jo rrallë kanë pritur ditë me radhë.

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›