E Diel, 1 Nëntor 2026

Arrestohet para vrasjes së katërt

 

BERAT/ DILAVER XHELILI

Arrestohet në tentativë për të kryer vrasjen e katërt. Altin Frashlliu, 31 vjeç nga Berati u prangos rreth orës 21:00 të së martës, pasi emri i tij ishte skeduar në dosjet e ‘97-ës në Berat, të cilat kishin mbetur të pazbardhura.Sipas policisë, 31-vjeçari kishte shkuar me një kallashnikov në lokalin në pronësi të I.Sulkës. Ata janë konfliktuar me njëri-tjetrin dhe më pas Frashlliu ka nxjerrë armën për ta ekzekutuar. Në këtë moment ndërhyri policia e Beratit, duke paralizuar autorin e mundshëm të  këtij krimi. Policia e kishte prej disa kohësh në survejim Altin Frashlliun. Pas rihapjes së dosjeve të ‘97-ës, ai rezultoi të ishte një nga të dyshuarit për autorësinë e disa ekzekutimeve të kryera në periudhën e trazirave në këtë qytet. Pas hetimeve të kryera, rideklarimeve të disa personave, si dhe fakte të tjera të mbledhura nga oficerët e policisë kriminale, blutë e shpallën 31-vjeçarin në kërkim. Por ai strehohej jashtë vendit. Policia kishte siguruar të dhëna se ai kryente lëvizje në shtete të ndryshme si Itali, Belgjikë apo Spanjë, por herë pas here vinte edhe në Berat. Pas marrjes së këtij informacioni, blutë u vunë në lëvizje me të gjitha strukturat, derisa së fundmi, ranë në gjurmët e tij. I kërkuari, prej pak kohësh kishte ardhur në Berat. Mbrëmjen e së martës, ndërsa ai doli nga banesa i armatosur, agjentët e policisë iu vunë mbrapa. Policia kishte organizuar operacionin “Vjeshta e Fundit” për arrestimin e tij. Sipas policisë, Frashlliu është futur në lokalin e Sulkut dhe pas debatit me të nxorri armën e zjarrit. Forcat në operacion ndërhynë në momentin e fundit duke evituar krimin, ndërsa arrestuan të kërkuarin. Sipas burimeve, dyshohet se debati me pronarin e lokalit ka qenë i momentit, ndonëse nuk përjashtohet dhe ndonjë konflikt i vjetër mes dy personave, nisur edhe nga fakti se 31–vjeçari shkoi i armatosur në lokalin e Sulkut. Policia tha se emri i Altin Frashlliut rezulton në mëse 3 dosje vrasjesh. Blutë nuk përjashtuan arrestime të tjera të mundshme për dosjet e ‘97-ës. Mësohet se disa prej emrave të implikuar bashkë me Frashlliun, nuk jetojnë më, disa ndodhen jashtë shtetit dhe u ruhen prangave, e të tjerë ndodhen në qeli për vepra të tjera të kryera prej tyre. Policia tha se pas arrestimit të 31-vjeçarit, u sekuestrua edhe arma automatike kallashnikov model 56 me dy krehra të mbushur dhe me fishekun në folenë e saj.

Pranga për vrasësin e ‘97

BERAT - Policia e Beratit arrestoi autorin e një vrasjeje të ndodhur në vitin 1997. Në kuadër të operacionit “Vjeshta e Fundit”, përfundoi në pranga Edmond Xhelaj, 30 vjeç nga fshati Uznovë i Beratit. Arrestimi i tij është bërë për veprën penale të “vrasjes me paramendim, të kryer në bashkëpunim”. Policia, në bashkëpunim me Prokurorinë kishin rifilluar hetimet për vrasjen e taksistit Rauf Doko, ngjarje e ndodhur më 5 maj 1997 në rrugën nacionale Berat-Poliçan. Nga hetimet e kryera rezultoi se Edmond Xhelaj dhe dy persona të tjerë rreth orës 12.00 të kësaj date kanë prenotuar si taksi viktimën dhe kanë lëvizur me mjetin e tij nga Poliçani në Berat. Qëllimi ka qenë grabitja, por ata e vranë Dokon, duke e hedhur kufomën në anë të rrugës. Më 7 nëntor 2008 gjykata kishte vendosur masën e arrestit me burg për 30-vjeçarin.                            d.xh

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›