E Diel, 1 Nëntor 2026

Fazlliç, 4 hektarë “të fshehur”

 

Trazhgim Sokolaj

Paratë e përfituara nga shitja fiktive e kompanisë së tij, dyshohet se janë përdorur nga biznesmeni Damir Fazlliç për të blerë toka me çmim të lirë në zonën e bregdetit në Porto-Romano. Hetimet e Prokurorisë zbuluan se 33-vjeçari boshnjak, në të vërtetë zotëron në Porto-Romano 16 hektarë tokë, plot 4 mijë metra më shumë se sipërfaqja e deklaruar në dokumente. Nga verifikimi i dokumentacionit për veprimtarinë e Damir Fazlliç në Shqipëri, hetuesit kishin mësuar se ai zotëronte 12 hektarë tokë në Porto-Romano, por verifikimet në terren dhe hetimet shtesë kanë provuar se 33-vjeçari nga Bosnja zotëron edhe 4 mijë metra të tjera tokë ende të pa pasqyruara në dokumentacionin përkatës. Sipas akuzës, verifikimet në terren dhe administrimi i provave shtesë, tregoi se Damir Fazlliç ka blerë dhe tashmë ka në pronësi të tij 16 hektarë tokë në Porto-Romano. Hetimet e Prokurorisë kanë gjetur të dhëna, sipas të cilave kjo sipërfaqe shtesë tokash në pronësi të Damir Fazlliç nuk është blerë nga banorë të zonës, siç është vepruar me sipërfaqen tjetër prej 12 hektarësh. Prokuroria tha se ende është duke hetuar për mënyrën e shitblerjes së këtyre sipërfaqeve me tokë në zonën e Porto-Romanos. Organi i akuzës tha se ka dyshime të bazuara, sipas të cilave shuma e parave është transferuar nga Qipro në Shqipëri në formën e pagesës për blerjen e kompanisë së Damir Fazlliç. Ai shiti kompaninë “Crown Acquisition” me qendër në Shqipëri për 1.7 milionë euro. Blerësi ka qenë kompania “Altaria Research ltd” me qendër në Qipro, edhe kjo kompani në pronësi të biznesmenit Damir Fazlliç. Kjo shitje po hetohet nga Prokuroria me akuzën “pastrim i produkteve të ardhura nga krimi”. Kompania me qendër në Qipro bëri pagesën për blerjen e “Crown Acquisition” në vlerën e 1.7 milionë eurove, kur kjo kompani nuk kishte deklaruar aktivitet apo fitim në tatime, por ishte regjistruar me një kapital fillestar prej 1 mijë euro. Shuma e parave të paguara për blerjen e kompanisë së Fazlliç në Shqipëri, nga një tjetër kompani po në pronësi të tij në Qipro, dyshohet se është vënë në përdorim për të blerë tokat në Porto-Romano. Sipas të dhënave nga Prokuroria, mësohet se 12 hektarët “që dihej” që i kishte marrë në pronësi Damir Fazlliç ishin blerë për rreth 600 mijë euro, ose thënë ndryshe me një çmim prej 50 euro metri katror. Prokuroria tha se edhe katër mijë metrat e tjera të tokës që Fazlliç zotëron në Porto-Romano, janë blerë me pothuajse të njëjtin çmim, i cili konsiderohet favorizues për shkak të pozicionit që ka zona në breg të detit pranë fshatit Rinia në Porto-Romano.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›