“Prokurimet, kursyem 850 milionë lekë”
TIRANE – Drejtori i Njësisë së Prokurimeve të Përqendruara, Bujar Murati, tha dje se institucioni i drejtuar prej tij i ka kursyer shtetit shqiptar 850 milionë lekë. Kreu i Njësisë që funksionon në Ministrinë e Brendshme tha se qeveria shqiptare gjatë vitit 2008, përmes Ministrisë së Brendshme, realizoi me sukses blerjen e përqendruar në mënyrë elektronike për disa mallra dhe shërbime për llogari të Kryeministrisë, ministrive dhe institucioneve të varësisë. Sipas Muratit, struktura e drejtuar prej tij filloi punën që më 1 mars 2008 e në vazhdim. Kreu i njësisë tha se objekt i prokurimeve kanë qenë: furnizimi me karburante, gazoil, benzol dhe karburant për ngrohje, shërbimet e komunikimit me internet dhe e-mail, blerja e autoveturave për funksionarët e lartë të shtetit, ose për nevoja të institucioneve, blerja e mallrave dhe të produkteve të kancelarisë, blerja e kompjuterëve dhe të makinave të shumëfishimit, shërbimi i ruajtjes dhe të sigurisë fizike me subjekte private dhe blerja e mallrave për nevoja të autoriteteve kontraktore. Njësia mësohet se ka realizuar 12 procedura prokurimi, katër nga të cilat në mënyrë elektronike. Kreu i njësisë tha dje se janë prokuruar gjithsej 551. 072.352 lekë, vlera e ofertuar ka qenë 466.141.273 lekë, ndërsa janë kursyer gjithsej 85.000.000 lekë. ose 16% e fondit të prokuruar në total. t.s