E Shtunë, 31 Tetor 2026

Arrestohet pas 11 vitesh vrasësi i Stefano Rosit, biznesmenit italian

Detajet e operacionit “I harruari”, që vuri në pranga anëtarin e bandës së Yzberishtit. Policia e kryeqytetit pohon se 29-vjeçari ka punuar dhe si vrasës me pagesë

Luan Kondi

TIRANË - Nëse do të rezultojë e vërtetë, kur pritet të rihetohet dosja e vrasjes së biznesmenit italian, do të themi se Policia e Tiranës ka vënë në pranga një vrasës. Burime policore thanë se 29-vjeçari Flamur Hida ishte për rreth 11 vjet në kërkim për krimin e grabitjen me armë me pasojë vdekjen ndaj një shtetasi italian. Policia konfirmoi dje se Hida mund të ketë punuar si vrasës me pagesë. Atij iu sekuestruan tri pistoleta me silenciator në cilësinë e provës materiale. Hida njihet si anëtari i bandës së Yzberishtit.
Arrestimi
Flamur Hida, 29 vjeç, banues në Tiranë në rrugën “Komuna e Parisit”, i njohur nga policia si një nga elementët më të rrezikshëm me tendencë grabitjen me armë dhe krimet kundër pronës, u arrestua dje në mesditë. 29-vjeçari ishte në kërkim prej 27 janarit 1998, kur me dy vëllezërit, Fatmir dhe Fiqiri Avdillari, akuzohet të ketë grabitur dhe vrarë biznesmenin italian Stefano Rossi. Aktualisht, dy miqtë e tij, Fatmiri është vrarë në Greqi, kurse Fiqiriu është në burg për vrasje si hakmarrje për ekzekutimin e të vëllait. Arrestimi është kryer nga shërbimet e Komisariatit Nr. 2 të Policisë së Tiranës. Dyshohet se Hida ka punuar si vrasës me pagesë. Gjatë kontrollit të banesës së kryer nga efektivët e policisë janë zbuluar tri pistoleta të llojeve të ndryshme, dy granata, silenciatorë dhe sende të tjera të ndaluara. Më pas, i kërkuari është dërguar në ambientet e Drejtorisë së Policisë së Tiranës. Ndaj tij ka nisur një procedurë hetimore, duke e pyetur për veprimtarinë e tij, ndërsa po verifikoheshin lidhjet e tij shoqërore. Hida dyshohet të jetë aktivizuar sërish në grabitje e vrasje me pagesë. Policia ka dërguar për ekspertizë tri pistoletat me silenciator, të cilat iu bllokuan.
Kërkimi
Lindur më 16 gusht 1980, “Lenci”, nofka me të cilën njihej Hida, ishte person i shpallur në qysh në vitin 1998, ndërsa qëndronte i fshehur në kryeqytet dhe në rrethinat e saj. Policia pranoi se i shumëkërkuari e kishte vështirësuar shumë kapjen e tij, për shkak të përdorimit të identitetit të rremë. Për më tepër, policia nuk posedonte asnjë fotografi të tij të azhurnuar, sepse në kohën kur ky person ka qenë fillimisht i shpallur në kërkim, ishte i mitur. I kërkuari Flamur Hida, në bazë të vendimit të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë të datës 13 tetor 1998, është dënuar me 12 vjet e 6 muaj burgim, për veprat penale te “Vjedhjes me armë me pasojë vdekjen” si dhe të “mbajtjes pa leje të armëve luftarake”. Pas trazirave të vitit 1997, kur krimi mori pushtet të mirëfilltë, atëherë 17-18 -vjeçar, Flamur Hida, në bashkëpunim me Nazmi Avdillarin kryen vjedhjen me pasojë vdekjen të shtetasit italian Stefano Rossi. Bashkëpunëtori i Hidës në këtë vrasje, Nazmi Avdillari, aktualisht ndodhet i dënuar më burgim të përjetshëm. Kurse Hida fillimisht mori dënimin me 12.5 vjet burgim, por më tej ai është dënuar sërish. Këtë herë, me vendimin e Gjykatës së Apelit Tiranë, më datë 28 janar 2002, ka marrë 20 vjet burgim, për veprat penale të “vjedhjes me armë të kryer në bashkëpunim”, ndaj qytetarëve Bedri dhe Agim Ago.
Po ashtu, me vendimin e datës 18 Korrik 2007, të Gjykatës së Rrethit Tiranë, Hida është dënuar me 5 vjet e 4 muaj burgim, për veprat penale “Plagosjes me dashje” dhe të “armëmbajtje pa leje” ndaj Aqif Lamit. Në operacionin e koduar “I harruari”, u sekuestruan përveç një arsenali të tërë armësh dhe një certifikatë personale e falsifikuar që përdorte Flamur Hida si mjet identifikimi, me identitet tjetër, të rremë.

Operacioni “I harruari”, armatimet e sekuestruara

- Një armë zjarri automatike tip “Scorpions”
- Një pistoletë model 54, me një krehër me 7 fishekë
- Dy silenciatorë
- Një pistoletë “Belgium” me një krehër me 11 fishekë
- Një pistoletë “Bereta”, me një krehër me 4 fishekë
- Një pistoletë elektrike (paralizues elektrik)
- Dy krehër pistolete me 8 fishekë
- 106 copë fishekë pistolete, të kalibrave të ndryshëm
- Një kallëp tritoli së bashku me kapsollën elektrike

23 Maj 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›