Vrasja e 18-vjeçarit, maturantët e “Ali Demit” tubojnë në heshtje, autori, burg pa afat
Vlorë - Katër ditë pas vrasjes së Armir Danajt, 18-vjeçari që u qëllua me thikë në zemër pas një sherri për një femër, shokët e tij, zilen e fundit të shkollës e shndërruan në një tubim në kujtim dhe nder të tij. Shumë maturantë të shkollës “Ali Demi”, të shoqëruar edhe nga nxënës dhe mësues të tjerë të kësaj shkolle, kanë marshuar nga shkolla deri te banesa e Armir Danajt, të veshur me bluza ku ishte stampuar fotoja e maturantit të vrarë. Festën e “ziles së fundit” ata e konvertuan në një marsh lotësh, si kujtim dhe qëndrim ndaj krimit që preku familjen Danaj dhe mori jetën e 18-vjeçarit. Shokët e klasës dhe të tjerë bashkëmoshatarë e shokë shkolle të Danajt kanë kërkuar që drejtësia të vihet në vend. Ata kanë kërkuar që përveç autorit të arrestuar, të dënohet maksimalisht dhe nxitësja e krimit, e cila është e nëna e vajzës, për të cilën u konfliktuan dy të rinjtë. Edhe xhaxhai i Armirit, duke folur para mediave, tha se kërkojnë nga Drejtësia të japë dënimin maksimal për përgjegjësit e këtij krimi të rëndë, që preu në mes jetën e 18-vjeçarit Danaj, ndërsa nga ana tjetër ju bëri thirrje qytetarëve dhe mbarë opinionit të dënojnë rëndë të tilla krime që mund të prekin familjen e gjithkujt nga papërgjegjshmëria e njerëzve që duhen dënuar. E ndërsa maturantët tubonin në marshin e lotëve, Arsi Dajlani, i dyshuari kryesor për vrasjen e 18-vjeçarit, ka qenë para togave të zeza, ku ka marrë masën e sigurisë “arrest në burg” deri në përfundim të hetimeve. Ai akuzohet për veprën penale të vrasjes me paramendim ndërsa mamaja e të dashurës së tij, e cila nga të gjitha palët shihet si nxitëse e këtij krimi merret vazhdimisht nga blutë në pyetje, por ende nuk është marrë asnjë masë ndaj saj. Familjarët e 18-vjeçarit Danaj, kërkojnë që edhe ajo të dënohet nga drejtësia, si nxitësja kryesore e këtij krimi, që mori jetën e djalit të tyre.
Konflikti, shoferi i furgonit qëllon me armë një makinë
Shkodër - Një zënkë e nisur mëngjesin e djeshëm ka degraduar në një konflikt me armë. Shoferi i furgonit i linjës Koman - Shkodër ka qëlluar me automatik në drejtim të një automjeti, ndërkohë që ishte duke transportuar pasagjerë. Mësohet se drejtuesi i makinës u ka shpëtuar plumbave, ndërkohë që nuk ka të lënduar mes pasagjerëve të furgonit. Policia bën të ditur se shoferi i furgonit kishte fshehur armën në makinën e tij, dhe pasi ka ndeshur në rrugë personin me të cilin ishte konfliktuar në mëngjes, ka qëlluar me breshëri plumbash në drejtim të tij. Ende nuk bëhen të ditur emrat e personave përgjegjës të kësaj ngjarje si dhe motivet e këtij konflikti. Policia po punon për zbardhjen e mëtejshme të kësaj ngjarjeje.
Korçë, kalimtarët gjejnë trupin e pajetë të 52-vjeçarit
KORÇË- Një person u gjet i vdekur dje në mëngjes në aksin nacional Korçë - Pogradec. Sipas të dhënave paraprake mendohet se viktima është përfshirë në një aksident të mundshëm rrugor, i cili i ka shkaktuar vdekjen. Policia e Korçës ka bërë të mundur identifikimin e trupit, i cili i përket 52-vjeçarit Selim Osmani, nga fshati Libonik. Trupi i pajetë u gjet nga kalimtarë të rastit në afërsi të fshatit Biranj. Mendohet se viktima ka qenë duke ecur në këmbë kur është përplasur nga një automjet. Ndërkohë policia ka nisur hetimet për të zbardhur ngjarjen.
Kapen 50 kg marijuanë, droga trafikohej me mushkë në Greqi
GJIROKASTËR - Policia e Gjirokastrës ka sekuestruar 50 kilogramë lëndë narkotike e llojit marijuanë si dhe ka arrestuar dy persona të dyshuar si posedues të saj. Operacioni i policisë u krye rreth orës 21:00 të së enjtes mbi qytetin e Libohovës në vendin e quajtur Revani. Dy personat u pikasën nga policia teksa po tentonin të transportonin drogën në dy çanta të mëdha shpine të ngarkuara në një mushkë dhe që kishte destinacion Greqinë. Policia i ka bërë thirrje të ndalohen por ato janë larguar. Pas disa orësh forcat blu të Gjirokastrës kanë arritur të arrestojnë dy shtetasit, emrat e të cilëve ende nuk janë bërë të ditur.
23 Maj 2009