Karburantet, vijon rritja me 2 lekë për litër në pikat e pakicës në kryeqytet
Ekspertët vendas paralajmërojnë rritje të tjera të çmimit të karburanteve. Nga ana tjetër importuesit thonë se tarifa aktuale është tepër e vogël dhe se presin ndryshim të konsiderueshëm. Çmimi i naftës dhe benzinës sipas tyre, do të vijojë të ketë rritje si pasojë e shtrenjtimit të karburantit në tregjet e huaja. Pas rritjes së tri ditëve më parë, importuesit vlerësojnë një tjetër ndryshim, i detyrueshëm në përputhje me kërkesën në treg dhe rritjes së "arit të zi" në bursa. Një muaj më parë, një fuçi nafte në bursat e amerikane dhe të Londrës kushtonte rreth 50 dollarë, ndërsa tre muaj më parë rreth 45 dollarë. Gjatë ditës së djeshme çmimi kapërceu kuotën e 62 dollarëve për fuçi, duke paralajmëruar shenja aspak pozitive për industritë. Kësisoj, në vendin tonë pritet një rritje mesatare e çmimit për litër deri në 3 lekë. Importuesit e paralajmëruan që dje rritjen, duke qenë se në vendet ku marrin sasitë ka pësuar ndryshime të mëdha të kuotave. Vetëm gjatë ditës së djeshme, në Tiranë dhe në disa qytete kryesore disa kompani nafte do të ndërmarrin rritje të çmimit me të paktën 2 lekë për litër. Nisur nga kjo, një litër naftë eurodiezel do të kushtojë 112 lekë, nafta 10 ppm do të jetë 116 lekë për litër, ndërsa benzina do të kushtojë 119 lekë. Disa pika karburanti e kanë shtrenjtuar naftën me kohë, ndërsa benzina u bë 6 ditë që kushton deri në 117 lekë për litër. Rritja e parë nisi pas hyrjes në fuqi të ligjit të ri për akcizën, e cila unifikonte tarifën në 37 lekë për litër. Pas një kohe të qetë në tregjet e huaja, nafta vijoi të rritej sërish, me 50 dollarë për fuçi, kurse në Shqipëri nuk pati ndikim. Shtrenjtimi i karburanteve në vend do të rikthejë në qendër të debatit rolin e autoriteteve për ta mbikëqyrur sa më mirë tregun, nëse operon me kushte të barabarta.
Industria Nxjerrëse, Shqipëria anëtare e Iniciativës së Transparencës
Shqipëria u anëtarësua së fundmi në Iniciativën e Transparencës për Industritë Nxjerrëse, EITI, një organizëm ndërkombëtar i mbështetur nga Banka Botërore që synon të ndërgjegjësojë popujt për vlerën e pasurive të nëntokës së tyre. Lajmi u dha nga Banka Botërore. Tridhjetë vende janë anëtare të kësaj shoqate. Së bashku me Shqipërinë u anëtarësuan dhe Burkina Faso, Mozambiku dhe Zambia. Synimi i shoqatës është të nxisë rritjen e transparencës në industrinë nxjerrëse të mineraleve, naftës dhe gazit, në mënyrë që burimet natyrore të ndihmojnë në rritjen e mirëqenies së popujve. IETI financohet nga Banka Botërore, Bashkimi Evropian dhe shumë qeveri të vendeve perëndimore. Shumë vende janë të pasura me minerale, por përfitimet nga shfrytëzimi i burimeve janë pothuajse inekzistente. Rritja e transparencës mbi rëndësinë dhe vlerat e mineraleve të poseduara nga një vend, si dhe informimi i publikut, besohet se do të detyrojë qeveritë t‘i menaxhojnë më mirë këto burime. Shqipëria është në listën e vendeve relativisht të pasura me minerale kromi dhe bakri, si dhe me naftë. Por qytetarët e zakonshëm as nuk e dinë se kush janë pronarët e kompanive shfrytëzuese të burimeve natyrore, ndërkohë që vendi përfiton një pjesë të papërfillshme të vlerës së mineraleve të eksportuara.
METE në 12 qershor çel tenderin për HEC-in e Shtikës në Këlcyrë
Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës do të zhvillojë në 12 qershor tenderin e hapur për dhënien me koncesion për ndërtimin e hidrocentralit mbi rrjedhën e Përroit të Shtikës, në Këlcyrë të Përmetit. Burime zyrtare nga METE bënë të ditur se është shpallur ftesa për pjesëmarrje në procedurën konkurruese për këtë proces. Sipas burimeve, afati i fundit për dorëzimin e ofertave është data 12 qershor, ditë kur do të bëhet hapja e ofertave në METE-s. Në dy vitet e fundit METE ka firmosur 50 kontrata për ndërtimin e 50 hidrocentraleve me fuqi 216 megavat, janë në shqyrtim e negocim projektet për 103 hidrocentrale të tjera me fuqi mbi 1000 megavat, ndërsa janë firmosur kontratat për 3 parqe energjetike ere, me një investim rreth dy miliardë euro.
23 Maj 2009