E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kriza rrezikon vendet e punës, BSH jep alarmin për rritjen e papunësisë



Efektet e krizës globale që prej muajsh po ndihen në vendin tonë kanë ngjallur pasiguri tek qytetarët. Rritja e papunësisë është edhe problemi më i madh me të cilin ata po përgatiten të përballen. Banka e Shqipërisë ka publikuar rezultatet të vrojtimit të Biznesit dhe Konsumatorit, ku ka konstatuar se 46 për qind e qytetarëve presin që papunësia të rritet gjatë pjesës së mbetur të vitit. Vetë qytetarët të pyetur nga mediat shprehen se janë të papunë dhe mendojnë se si pasojë e efekteve të krizës globale, kjo papunësi do të rrisë përmasat e saj në vend. Pritshmërinë për rritje të papunësisë dhe përkeqësim të situatës ekonomike në vend lidhen direkt me efektet e krizës globale në ekonominë tonë, si dhe me reagimin e qeverisë ndaj kësaj situate. Komuniteti i biznesit ka dhënë prej muajsh alarmin për gjendjen e vështirë në të cilën ndodhet. Në fillim të këtij muaji fasonistët bën publike shifrat e rënies që ka pësuar sektori. Sipas tyre mbi 50 ndërmarrje të prodhimit të eksportit të veshjeve dhe këpucëve janë mbyllur, ndërkohë që rreth 11 mijë punonjës janë fërguar në shtëpi, pasi nuk ka punë. Armatës të të papunëve rrezikon tu shtohet edhe një numër i madh emigrantësh, të cilët mund të kthehen në atdhe pasi kanë humbur vendet e tyre të punës në shtet ku punojnë dhe jetojnë.

Hyn në fuqi përjashtimi 3 muaj nga sigurimet për kompanitë prodhuese

Qeveria është tërhequr nga vendimi i parë për të përjashtuar nga sigurimet shoqërore 1 muaj punonjësit e bizneseve të tekstileve, duke e shtyrë afatin në tre muaj. Vendimi ka hyrë në fuqi dy ditë më parë dhe parashikonte të gëzonte biznesin "fason", por në fakt ka ndodhur e kundërta. Zyra e bizneseve që punojnë me material porositës, e cilëson aspak serioze përjashtimi nga taksa e sigurimeve për tre muaj, kur kërkesa ishte për të paktën 6 muaj. "Propozimi ynë i kahershëm ishte që për të punësuarit e rinj të mos paguheshin taksa të sigurimeve shoqërore njëlloj me punëtorin tjetër që ka eksperiencë. Kërkesa jonë ishte për mospagim të taksës nga 6 muaj deri në 1 vit, në varësi të subjektit", deklaroi Dhoma e Prodhuesve të Veshjeve. Situata mes këtij biznesi dhe qeverisë ka kohë që është acaruar, pasi palët nuk po gjejnë një zgjidhje. Me kohë sektori fasonist i kërkon qeverisë përjashtimin deri në 50% të pagesës së kontributit të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore për të gjithë të punësuarit në këtë sektor për periudhën e krizës. Këto kontribute të paguhen nga qeveria, si mbështetje për sektorin në kushtet e krizës aktuale që ka sjellë mungesë të aftësisë paguese, ulje të prodhimtarisë nga mungesa e kontratave të reja të partnerëve evropianë, rrezikim për mbyllje të një numri të konsiderueshëm të ndërmarrjeve të këtij sektori. Në shkallë vendi, numërohen më shumë se 400 subjekte private, që punojnë me fason, prej të cilave, rreth 300 janë të përfshira në sistemin e kompjuterizimit të shërbimit doganor “ASICUDA”, dhe që qarkullojnë rreth 4 miliardë lekë si xhiro ekonomike. Vetëm në Tiranë numërohen afro 160 biznese prodhuese me fason, me një xhiro ekonomike prej rreth 1.2 miliardë lekë. Industritë e fasonit dhe të lëkurë-këpucëve zënë në total 54% të eksporteve shqiptare, si dhe rreth 5% të Prodhimit të Brendshëm Bruto në vend. E gjithë industria është e organizuar me material porositësi (fason), me drejtim tregjet e huaja. Rreth 70% e këtij prodhimi shkon në tregjet e Italisë dhe Greqisë, si dhe në disa vende të BE-së, kryesisht Gjermani, Austri etj.

23 Maj 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›