E Diel, 1 Nëntor 2026

PS: Nuk i njohim zgjedhjet nëse KQZ-ja funksionon si organ i PD-së

Selia rozë akuzon Komisionin Qendror të Zgjedhjeve se po u shërben qëllimeve manipuluese të Berishës.

Shaban Sulçe

Partia Socialiste ka dhënë një sinjal të fortë në drejtim të qëndrimit të saj për zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit. Selia rozë akuzon Komisionin Qendror të Zgjedhjeve se po vihet në funksion të qëllimeve manipuluese të Partisë Demokratike dhe kryeministrit Berisha ndaj procesit zgjedhor. Nënsekretari për çështjet zgjedhore në selinë rozë, Damian Gjiknuri, tha se Partia Socialiste nuk do të njohë rezultatin e zgjedhjeve të 28 qershorit në rast se KQZ-ja do të vijojë të funksionojë si organ partiak i Partisë Demokratike. “I bëjmë thirrje KQZ-së të rishikojë sjelljen e saj institucionale e të udhëhiqet vetëm nga ligji, përndryshe do të bëhet bashkëpunëtore në krimin që po përgatitet ndaj zgjedhjeve të lira. Partia Socialiste nuk mund të njohë një palë zgjedhje ku arbitri kthehet në xhelat”, - tha Gjiknuri.

KQZ-ja
Nënsekretari për Çështjet Zgjedhore në Partinë Socialiste, Damian Gjiknuri, denoncoi vendimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për caktimin e vendeve të numërimit të votave në lokalet private, vendim i cili bie në kundërshtim të plotë me ligjin. Gjiknuri tha se ky rast flagrant shpreh qartë qëllimet e PD-së për manipulimin e zgjedhjeve si dhe dënoi qëndrimin e KQZ-së, e cila, sipas Partisë Socialiste, po funksionon si një institucion që është vënë në shërbim të Partisë Demokratike. Ai u bëri thirrje institucioneve ndërkombëtare që të ndjekin me vëmendje situatën e krijuar në KQZ dhe të ushtrojnë presion pozitiv për respektimin e ligjit. “Së fundi, frymëzimi i ethshëm politik po e shtyn KQZ-në të marrë vendime tërësisht në kundërshtim me ligjin, duke caktuar vende të numërimit të votave në lokale private e duke shmangur kërkesën pashmangshme të Kodit që VNV-të të caktohen vetëm në objekte publike. Ky veprim është një sinjal i qartë paralajmërues se PD-ja po përgatitet për manipulim dhe se KQZ-ja thjesht do të bëjë “sehir”. U kërkojmë të gjitha institucioneve monitoruese ndërkombëtare t’i kushtojnë vëmendje këtij organi dhe vendimmarrjes së tij, si dhe të ushtrojnë presionin e tyre pozitiv që të respektohet ligji”, - vijoi Gjiknuri.
Lista
Partia Socialiste e ka akuzuar Partinë Demokratike se lista e kandidatëve të saj për deputetë ka shkelje të rënda ligjore. Nënsekretari për Çështjet Zgjedhore në selinë rozë, Damian Gjiknuri, tha se lista e kandidatëve që PD-ja ka depozituar në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve nuk është shoqëruar me asnjë dokumentacion sipas kërkesave të ligjit. “Lista e PD-së, e dorëzuar në KQZ, është thjesht listë emrash, e pashoqëruar me asnjë dokumentacion, siç e kërkon ligji. Treguesi më i mirë i farsës së kësaj liste është fakti që Berisha, Topalli dhe Patozi vetëm dje kanë dorëzuar deklaratën e kandidimit, ndërkohë që pjesa më e madhe e listës akoma nuk ka dokumentet përkatëse”, - tha ai. Gjiknuri akuzoi KQZ-në se po bën ndryshime antiligjore në lista për të mbushur boshllëqet për shkak të largimeve të kandidatëve të PD-së.
Menjëherë ka reaguar Partia Demokratike, e cila i ka cilësuar trillime akuzat e PS-së në lidhje me listat. “Partia Demokratike hedh poshtë pretendimet dhe trillimet e Ramës si të pavërteta dhe deklaron se po procedon çdo gjë në përputhje të plotë me ligjin dhe Kodin Elektoral”, - tha zëdhënësja e PD-së, Erla Mëhilli.

23 Maj 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›