Sektori imobiliar çorientohet, zhvlerësimi i lekut ndaj euros jep pasoja tek çmimet
Çmimet e banesave bien në rrethe dhe shtrenjtohen në Tiranë. Raporti i BSH-së jep shifrat për tre muajt e parë të vitit 2009
Ervin KOÇI
Sektori imobiliar në vend dhe ai i ndërtimit në tërësi kanë treguar shenja të qarta të prekjes nga kriza ekonomike, në tre muajt e parë të vitit 2009. Këtë e tregojnë dhe luhatjet e mëdha të çmimeve në shitje dhe në qiratë e pronave të patundshme, që janë ulur ndjeshëm në rrethe si pasojë e rënies së fuqisë blerëse, në një kohë që në kryeqytet ato vazhdojnë të mbeten të larta. Por ekspertët e sektorit imobiliar e konsiderojnë ndër të tjera këtë treg edhe të çorientuar si pasojë e luhatjeve të mëdha që janë krijuar nga zhvlerësimi i lekut ndaj valutave të huaja. Sipas studimit më të fundit të bërë nga Banka e Shqipërisë për këtë sektor, në 3-mujorin e parë të vitit 2009, indeksi i çmimit të banesave, u rrit me 9.2 për qind në krahasim me një vit më parë; ndërsa ra me 5.7 për qind në krahasim me 3-mujorin e mëparshëm. Rritja e çmimeve për vitin 2009 duket se vjen si pasojë i zhvlerësimit të lekut në tregun e këmbimit. Duke qenë se banesat shiten në euro dhe blerësit i kanë të ardhurat në lekë, çmimi i tyre është rritur këtë vit automatikisht vetëm nga efektet e kursit të këmbimit, ku monedha evropiane ka fituar shumë pikë ndaj monedhës vendase lekut. Rritja vjetore gjatë këtij 3-mujori përbën një pikë kthese në prirjen rënëse të indeksit të çmimit të banesave, e cila ka filluar që në 3-mujorin e katërt të vitit 2007. Gjatë dy 3-mujorëve të kaluar ky indeks kishte pësuar rënie përkatësisht me 4.3 dhe 0.9 për qind.
Ndërtimi
Sipas Bankës së Shqipërisë sektori i ndërtimit përfaqëson një nga sektorët më aktivë të ekonomisë shqiptare. Gjatë vitit të kaluar, prodhimi i këtij sektori ka përfaqësuar rreth 14 për qind të Prodhimit të Përgjithshëm Bruto në vend dhe ka siguruar rreth 17 për qind të shitjeve totale, nga sektorët prodhues jobujqësore të ekonomisë së vendit. Në sektorin e ndërtimit regjistrohen si të punësuar mesatarisht rreth 18 për qind e të punësuarve gjithsej në sektorin privat. Ritmet e shpejta të rritjes së prodhimit në këtë sektor kanë bërë që kontributi i tij në rritjen ekonomike të viteve të fundit, të jetë i konsiderueshëm.
Bazuar në të dhënat nga lejet e miratuara për ndërtime, një peshë gjithnjë e më të madhe kanë zënë ndërtimet për qëllime banimi. Ndërsa, ndërtimet e reja përbëjnë peshën më të lartë në vlerën e parashikuar të lejeve të ndërtimit, krahasuar me rikonstruksionet. Për sa i takon sektorit shtetëror ai është i përqendruar në një masë më të madhe në ndërtimet inxhinierike, ku aktiviteti kryesor lidhet me ndërtimin e rrugëve dhe autostradave.
Qiratë
Indeksi i qirasë së banesave u rrit me 12.3 për qind në terma vjetore, në 3-mujorin e parë të këtij viti, pasi kishte pësuar rënie me 4.9 për qind në tremujorin e katërt të vitit 2008. Në krahasim me 3-mujorin e mëparshëm ky indeks ka pësuar një rënie të lehtë, 0.4 për qind. BSH-ja vëren se raporti i indeksit të çmimeve ndaj qirasë së banesave, është ulur më tej në tremujorin e parë të vitit 2009. Prirja rënëse e këtij treguesi ka nisur që në tremujorin e tretë të vitit 2008. Në kryeqytet, sidomos për ambiente tregtare në zonat e shtrenjta, si Blloku, stadiumi "Qemal Stafa" apo pranë Radio-Televizionit Shqiptar, kërkesa është gjithnjë e lartë dhe çmimet gjithashtu, janë të shtrenjta. Agjencitë imobilare vlerësojnë se çmimet ndryshojnë nga zona në zonë, por mesatarisht mund të thuhet se qiratë mujore të zyrave, luhaten nga 10-25 euro/m2, të dyqaneve deri në 35 euro/m2, ndërsa për banesat llogaritet një çmim rreth 4-5 euro/m2 në muaj. Këto nivele çmimesh kanë mbetur pa lëvizur gjatë 2-3 viteve të fundit. Çmimet më të larta, për sa u takon qirave në tregun imobilar, i paraqesin dyqanet. Edhe midis tyre, më të shtrenjtat ofrohen nga qendrat tregtare. Për një ambient tregtar prej 25-30 metrash katrorë në një qendër tregtare të Tiranës, mesatarisht qiraja është 800-1.000 euro në muaj. Por mbi 1.000 euro paguajnë edhe dyqanet e rrugëve të njohura tregtare të kryeqytetit.
BSH: Kredia në monedhën vendase për muajin shkurt, u rrit me 2 për qind
Kredia në lekë në muajin shkurt të këtij viti u rrit me 2 pikë përqindjeje. Sipas raportit më të fundit të Bankës së Shqipërisë, njoftohet se në fund të muajit shkurt, kredia në lekë zuri 29 për qind të portofolit të kredisë, duke u rritur me 2 pikë përqindje krahasuar me peshën mesatare që përbënte gjatë vitit 2008. Kjo zhvendosje, vlerësohet nga ekspertët si një zhvillim pozitiv në sistemin tonë bankar. Një vëmendje më e madhe e bankave për kreditimin në lekë krijon më shumë hapësira për rritjen e efektivitetit të politikës monetare dhe ndikimin e saj në sjelljen e agjentëve ekonomikë. Sipas BSH-së, “zhvendosja e portofolit të kredisë në monedhën vendase, do të ulte ekspozimin e zhvillimeve të sistemit bankar nga lëvizjet e kursit të këmbimit dhe do të kontribuonte, në ruajtjen dhe forcimin e stabilitetit financiar në vend”.
23 Maj 2009