E Diel, 1 Nëntor 2026

Ekspertet e huaj: “Efektet e krizës ekonomike në Shqipëri janë thelluar”

Kriza po reflektohet në zhvlerësimin e lekut por dhe inflacioni po rritet. Efektet do të shtrihen tek remitancat pasi emigrantët po sjellin më pak para

Ervin KOÇI

Kriza ekonomike globale vetëm sa ka nisur të shfaq pasojat reale në ekonominë e brishtë shqiptare. Sipas ekspertëve të huaj të ekonomisë, që po studiojnë këto pasoja në ekonominë shqiptare, deri tani vendi ka ndjerë vetëm një pjesë të pasojave të krizës të eksportuara nga vendet e zhvilluara. Por ajo çka është më alarmante për këta ekspertë është fakti që, në fazën e dytë të vitit 2009 do të ndjehen dhe efektet e vërteta të krizës reale në vend. Sipas Alfred Dodle, drejtori i fondacionit publik gjerman “Fridrik Ebert”, qytetarët shqiptarë rrezikojnë të përballen me rritjen e çmimeve në treg, si pasojë kjo edhe e zhvlerësimit të monedhës kombëtare leku. “Kriza i ka shtrirë efektet e saj në Shqipëri, por vendi juaj nuk preket ende nga kriza, pasi është ende jo konkurrues në tregun europian. Por investitorët e huaj do të tërhiqen nga Shqipëria pasi ndihen të pasigurtë. Efektet do të shtrihen edhe tek remitancat pasi emigrantët do të sjellin më pak para pranë familjeve të tyre. Më tej efektet e krizës do të reflektohen në zhvlerësimin e lekut, inflacioni pritet që të rritet, ndërkohë që problem do të jetë edhe punësimi i të rinjve”- u shpreh Drejtori i Fondacionit “Fridrik Ebert” Alfred Dodle. Këto deklarime u bënë dje gjatë një tryeze të posaçme me specialistë dhe studiues të ekonomisë, zhvilluar nga Instituti i Sociologjisë, të cilët kanë diskutuar efektet e krizës globale në ekonominë shqiptare.

Pasojat

Gjatë një diskutimi lidhur me krizën ekonomike dhe ndikimin e saj në ekonomi dhe jetën sociale, ekspertët kanë theksuar se efektet e recensionit botërorë po ndihen në shumë sektorë, disa prej të cilëve janë bazë për zhvillimin e vendit. Sipas ekspertëve të huaj, ekonomia shqiptare nuk është prekur direkt nga kriza ekonomike botërore, por ajo nuk mund ti shpëtojë dot pasojave të pashmangshme të krizës që po thellohet në të gjitha vendet e rajonit. Mendimi i ekspertëve të huaj ishte se, ekonomia shqiptare nuk është e integruar plotësisht në tregjet ndërkombëtare dhe kjo ka ndikuar në mos përfshirjen direkte të vendit në krizën ekonomike botërore. Sipas ekspertit gjerman të ekonomisë Alfred Dodle, “në kohë krizash askush nuk ka ‘imunitet’ dhe nuk mund të pretendojë se mund të jetë i paprekshëm nga efektet negative të krizës ekonomike globale”. Në këtë drejtim, Luan Shahollari, Kryetari i Komisionit Ekonomik në Institutin e Sociologjisë, theksoi se ulja e remitancave, eksporteve, por edhe kreditimi i biznesit, janë pasojat që po ndjehen nga kriza ekonomike globale dhe që po reflektohen edhe në ekonominë tonë.
Por sidoqoftë, efektet e krizës dhe pasojat e saj nuk janë dhe nuk mund të jenë të njëjta në vende të ndryshme.

Të prekurit

Ekspertët e huaj të ekonomisë kanë evidentuar se shtresat më të ekspozuara ndaj efekteve të kësaj krize janë personat me aftësi të kufizuara, pensionistët dhe të moshuarit, si dhe njerëzit me probleme sociale të veçanta, si gratë kryefamiljare, fëmijët jetimët, etj. Në lidhje me këto shtresa, politikat sociale të qeverisë gjatë katër viteve të fundit nuk kanë synuar mbështetjen e shtresave në nevojë. Të verbrit, para dhe tetraplegjikët, janë disa nga shumë kategoritë e rrezikuara të cilët marrin pagesa minimale mujore, të pamjaftueshme për të jetuar. Ekspertët e ekonomisë shprehen se politika e rritjes së pagave dhe pensioneve ndihmon punonjësit e administratës, që përbëjnë edhe popullsinë aktive, ndërsa shtresat në nevojë janë lënë pas dore. Ekspertët e ekonomisë kundërshtojnë edhe shifrat e qeverisë për mbështetjen sociale. Niveli i ulët i pagesës ka ngritur vazhdimisht në protesta kategori të ndryshme shoqërore, si pensionistët, para dhe tetraplegjikët, minatorët dhe së fundmi, të verbrit.

23 Maj 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›