E Shtunë, 31 Tetor 2026

Arrestohet “pengu i transplanteve”

 

MIRDITE/ ROLAND NIKOLLI

Një i ri i arrestuar me arsenal armësh, vuri në lëvizje policinë e Rrëshenit, pasi dyshohet për një aktivizim të maskave me qëllim grabitjen e pasagjerëve në aksin Pukë-Mirditë. Erion Nikolli, 20 vjeç, u prangos mbrëmjen e së hënës, tek vendi i quajtur “Ura e Fanit”, 2 kilometra larg nga qyteti i Rrëshenit. Sipas policisë, në rrethana ende të paqarta, 20-vjeçari ishte plagosur me një plumb në këmbë. Ai kishte hipur në një nga furgonët e linjës Reps-Rrëshen, në gjendje të plagosur. Pasagjerët e furgonit, të cilët kishin vënë re çantën me armatime dhe vetë djalin të gjakosur, kanë sinjalizuar sallën operative menjëherë sapo ata kanë zbritur tek ura e Fanit. Pasi zbritën të gjithë pasagjerët, i plagosuri i ka kërkuar drejtuesit të furgonit ta priste pak momente, derisa një tjetër mjet të vinte për ta marrë. Duke parë se i riu ishte i armatosur, shoferi i është bindur. Ai ka pritur me minuta të tëra, por asnjë makinë nuk po vinte ta merrte. Papritur, në vend mbërriti një furgon policie. Nikolli kur vuri re praninë e policisë, tentoi të largohej, por efektivët e grupit të gatshëm arritën të mbanin nën kontroll situatën duke kapur edhe personin. Gjatë kontrollit të ushtruar në furgon, blutë gjetën dhe një çantë. Pas këqyrjes u gjetën brenda saj dy pistoleta TT, një mitraloz, një kallashnikov, dy bidonë plastikë të mbushur me fishekë si dhe një palë dylbi. Sipas policisë, poseduesi i municioneve ishte plagosur në këmbën e majtë. Dyshohet se ngjarja të ketë qenë aksidentale, pasi ai është plagosur në tentativë për të pastruar armët. Policia tashmë ka nisur hetimet në disa pista për këtë ngjarje. Pas sinjalizimit për këtë arrestim, policia e Lezhës ngriti një grup special hetimi për të shqyrtuar të gjitha pistat e mundshme. Alibia e vetë të ndaluarit për ngjarjen ka ngritur dyshime, duke shtuar misterin. Sipas tij, ai ishte marrë peng tre herë. Hera e fundit kishte qenë një ditë para arrestimit të tij, në vendin e quajtur Qafë-Benë në afërsi të Repsit. Ai pretendoi se qëllimi i pengmarrësve ishte që t’i merreshin organet për transplant. Por kjo alibi sipas policisë është bërë për të justifikuar praninë e armatimit që iu gjet. Sipas bluve, nuk përjashtohet mundësia e ndonjë vrasje të mundshme. Nga hetimet e kryera deri më tani, pista më e mundshme e dyshuar mbetet fakti se Erjon Nikolli, ka pasur si synim grabitjen e kalimtarëve, në aksin rrugor Rrëshen–Pukë. Grupi hetimor nuk ka përjashtuar as dyshimin se Nikolli mund të ketë pasur si qëllim tregtimin e këtyre armëve drejt Kosovës. Këto pista tashmë janë duke u hetuar.

Pranga grabitësve të rrugës nacionale
BURREL - Policia e Burrelit prangosi dje katër persona të dyshuar si grabitës me armë. Sipas burimeve policore, për “vjedhje me armë”, të mbetur në tentativë u arrestuan Gulit Nelaj, Vladimir Nika, Eduart e Gentian Hani, të gjithë banorë të fshatit Karicë të komunës së Bazit. Policia tha se në bashkëpunim, ata tentuan të grabisin një mjet me traga të Tiranës, duke qëlluar me armë. Ngjarja ndodhi më 9 nëntor 2008, rreth orës 21.00 në vendin e quajtur Ura e Karicës, afër Burrelit. Dyshohet se ata mbrëmjen e të dielës kishin dalë për gjueti. Me vete kanë pasur armë gjahu, kallashnikov, granata dore, maska, doreza e sende të tjera. Drejtuesi i mjetit që u qëllua me armë ka sqaruar për policinë, se nuk i ka njohur personat që qëlluan, por është shprehur se ka dalluar poshtë rrugës persona të maskuar. Një granatë dore, maska, doreza, rroba, çiftja etj, u bllokuan nga policia. Identifikimi i tyre mësohet se është bërë në bazë të përgjimeve. h.p

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›