FMN: Kriza do ju prekë, rritja ekonomike 3.5%
Fabiola Çela
Kriza financiare ndërkombëtare që ka prekur shumë vende të botës do të reflektohet edhe në ekonominë vendase. Për pasojë pritet të ulet niveli i eksporteve. Edhe të ardhurat e emigrantëve drejt familjeve të tyre në Shqipëri pritet të pësojnë rënie. Si pasojë e krizës ndërkombëtare, investimet e huaja mund të pësojnë ulje. Deklarata është dhënë nga vetë shefi i misionit të FMN-së në Shqipëri, Gerwin Bell. Madje, sipas shefit të misionit të Fondit, rritja ekonomike në 2009-ën do të jetë 3.5 deri në 4 për qind. Shifër kjo më e ulët se ç’kanë deklaruar zyrtarët e qeverisë.
Kriza
“Me një përkeqësim të mprehtë të perspektivës së rritjes ekonomike botërore, që tashmë ka filluar, është e rëndësishme që politikbërësit shqiptarë të forcojnë më tej themelet ekonomike. Integrimi i kufizuar i Shqipërisë në tregjet botërore në këtë situatë siguron një mbrojtje të rëndësishme, por ekonomia nuk është e paprekshme: rritja e eksporteve pritet që të ngadalësohet nga nivelet e larta të kohëve të fundit, dërgesat e emigrantëve mund të ndikohen dhe investitorët mund të rivlerësojnë rreziqet”, ka deklaruar dje shefi i misionit të Fondit Monetar Ndërkombëtar, Bell. Në një situatë të tillë i ka rekomanduar qeverisë që të marrë masat e duhura për të rritur besimin e qytetarëve. “Natyrisht, qeveria nuk mund të ndikojë në ngjarjet e jashtme botërore, por mundet dhe duhet të ndërmarrë hapa shtesë për të rritur besimin në vend, pasi në klimën aktuale politikat është më mirë të jenë më të matura se ç’duhet. Kjo do t’i mundësonte Shqipërisë ta kalonte furtunën e këtyre kohëve të turbullta dhe përsëri të regjistronte një rritje ekonomike domethënëse midis 3.5 dhe 4 për qind në vitin 2009, me një inflacion të ulët dhe me një pozicion të përmirësuar të llogarisë korrente”, u shpreh Bell.
Këshillat
Gjatë deklaratës së tij të përbashkët me ministrin e Financave, shefi i misionit të FMN-së ka këshilluar qeverinë që të ndërmarrë një rishpërndarje të shpejtë të shpenzimeve për vitin 2008. Vetëm në këtë mënyrë mund të sigurohet se sektorëve prioritarë po i kushtohet rëndësia e nevojshme dhe njëkohësisht që deficiti të kufizohet në 5.2 për qind të PBB-së. “Në të ardhmen, misioni rekomandon që të ruhet deficiti në vitin 2009 nën 4 për qind të PBB-së. Ky konsolidim i pozicionit fiskal do të forcojë besimin, do të rrisë qëndrueshmërinë e borxhit dhe do të kufizojë ngushtimin e aksesit në kredi të sektorit privat”, është shprehur Bell.
Projektbuxheti
Sipas deklaratës së bërë pak ditë më parë në Komisionin e Ekonomisë nga kreu i Financave, Bode, efektet reale të krizës financiare ndërkombëtare në të gjithë botën priten të ndihen në fillim të vitit tjetër. Sipas tij, askush nuk e di se deri kur do të shkojë kriza dhe askush nuk e di se si do të reagojnë bankat. “Gjithçka do të bëhet e qartë nga pranvera e vitit që vjen. Duke marrë parasysh gjithë këto ngjarje, ne kemi lënë 16 miliardë lekë për t’i përdorur nëse shohim se ka vështirësi”, ka deklaruar Bode. Në projektbuxhetin e vitit 2009, qeveria ka planifikuar që pensionet e qytetit do të rriten me 10 për qind, ndërsa pensionet e fshatit me 20 për qind. Rritja e tyre do të nisë që nga data 1 maj. Në fakt, gjatë tre viteve të fundit pensionet e fshatit kanë përfituar rritjen më të lartë të pensionit. Sipas drejtuesve të qeverisë një vendim i tillë është marrë me qëllim që të zvogëlohet distanca e madhe që ekzistonte mes nivelit të pensionit të fshatit me atë të qytetit. Ndërkohë, sipas të dhënave zyrtare, numri i pensionistëve në të gjithë vendin arrin në 520 mijë.
Efektet e krizës ndërkombëtare financiare
Rritja e eksporteve pritet që të ngadalësohet nga nivelet e larta të kohëve të fundit Dërgesat e emigrantëve mund të ndikohen duke shkuar drejt rënies Investitorët mund të rivlerësojnë rreziqet
Kriza, Fullani garant për bankat
Bankat që operojnë në tregun vendas nuk janë të infektuara nga kriza ndërkombëtare financiare. Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani, i ka garantuar dje shqiptarët për cilësinë e bankave në vend. “Analizat e fundit tregojnë se sistemi bankar ka përballuar në mënyrë të kënaqshme ‘efektin domino’ të tregut ndërkombëtar financiar”, tha dje Fullani gjatë deklaratës së përbashkët me FMN-në. Sipas tij, Banka e Shqipërisë ka furnizuar tregun me likuiditet të mjaftueshëm për të shmangur çdo situatë të padëshiruar në sistem. Gjatë deklaratës së tij ai i ka drejtuar një apel sistemit bankar, si atij vendas, ashtu dhe bankave mëma, që të analizojnë me kujdes ekonominë shqiptare për t’i dhënë asaj shanset reale nëpërmjet mbështetjes me kredi bankare. “Kredia bankare ka qenë faktor kyç për zhvillimin ekonomik të vendit e, për rrjedhim, mendoj se ajo duhet të jetë e tillë edhe në të ardhmen”, tha ai. Biznesi shqiptar të vazhdojë të jetë aktiv, largpamës dhe dinamik në zhvillimin e planeve të tij. Sipas Fullanit, vetëm kështu do të bëhet e mundur që ai të jetë i kapitalizuar, fitimprurës dhe i kredituar nga sistemi bankar. Biznesi duhet të bashkëpunojë më ngushtë me bankën, jo vetëm për të thithur kredi, por edhe konsulencë financiare, një element i domosdoshëm për stabilitetin afatgjatë të aktivitetit të tij. “Individëve, publikut të gjerë do t’i sugjeroja të tregohen të qetë, të matur dhe racionalë në mënyrën se si e menaxhojnë portofolin e tyre kursim – investime. Çdo formë kursimi apo investimi jashtë bankave, me para në dorë, mbart një rrezik të konsiderueshëm moral, financiar dhe fizik”, ka deklaruar Guvernatori i Bankës së Shqipërisë. Ndërkohë për sa i përket projektbuxhetit të vitit të ardhshëm, Guvernatori i BSH-së është shprehur se, “në planin ndërkombëtar, ekonomitë partnere janë pranë ose kanë ndjerë tashmë recesionin e aktivitetit ekonomik. Tkurrja e aktivitetit të një ekonomie, ndërmjet të tjerash, ndikon negativisht edhe ‘eksportin e tepricave’ të saj në mallra, kapital dhe investime në vendet partnere. Në këtë kuptim, ngadalësimi i mundshëm i të hyrave valutore mund të jetë një zhvillim i ardhshëm. Gjithsesi, mbetet ende i paqartë intensiteti me të cilin mund të shfaqet ky fenomen”.