E Shtunë, 31 Tetor 2026

Topi: Greva e urisë, e imponuar

 

ARMAND MERO

Greva e 11 deputetëve të LSI, PDK e PS ‘91 vjen për shkak të mungesës së dialogut politik, përsa i përket reformimit të kodit zgjedhor. Ky është qëndrimi i Presidentit Bamir Topi gjatë një interviste për “Zërin e Amerikës”, lidhur me Progres raportin dhe përplasjet e fundit në sistemin e drejtësisë. Duke iu referuar dokumentit të Komisionit Evropian, Topi tha se “në Progres-raport thuhet që mungon kultura e dialogut politik midis partive politike, gjë që po vërehet edhe në momentet e reformimit të Kodit Zgjedhor, që ka imponuar që edhe një pjesë e deputetëve t’i mbrojnë interesat e tyre në këtë formë të protestës, që po konsiderohet një protestë demokratike, por është në të drejtën, në vizionin, në perceptimin dhe në pozicionin e çdo partie politike dhe çdo deputeti që do të protestojë pikërisht për arritjen e standardit, që ka të bëjë me marrjen në konsideratë edhe të interesave të tyre”.
Zoti President, duke mbetur sërish tek raporti, sistemi i drejtësisë, kryesisht ai gjyqësor duket që ka më tepër kritika. Në raport janë ngritur shqetësime për ecurinë e këtij sistemi, për veprimtarinë e tij, kujtoj që raporti kërkon hartimin e një strategjie të qartë, reale për reformën në drejtësi. Ju në fillim të mandatit tuaj u përpoqët për ngritjen e një komisioni. Në fakt, partitë e mëdha duket se ranë në ujdi që ta bënin mes tyre reformën në drejtësi, por realisht pak gjëra, përveç ligjit “Për organizimin e sistemit gjyqësor”, nuk kemi asgjë tjetër konkrete. Ndërkohë, që një paketë ligjesh të hartuara nga qeveria janë kritikuar nga aktorë të interesit, por edhe nga faktori ndërkombëtar. Ju si e vlerësoni këtë situatë?
Unë ju falënderoj që sillni në vëmendje pikërisht vizionin tim në momentin e marrjes së detyrës si President. Kam pasur pikërisht këtë vizion, të cilin Komisioni Evropian e shpreh në Progres-raport. Pra, çështja e reformës në drejtësi është një çështje mjaft komplekse, pra, nuk ka të bëjë thjesht me institucionet e drejtësisë, por ka të bëjë me një ndërvarje reciproke të gjitha institucioneve, që fillojnë me politikën, me parlamentin, me qeverinë, me Presidentin, me institucionet e tjera që lidhen me administrimin e çështjeve gjyqësore, ka të bëjë me Prokurorinë, ka të bëjë me Avokatinë, ka të bëjë me Këshillin e Lartë të Drejtësisë, pra nuk mund të bëjmë një trajtim metafizik vetëm tek një pjesë, pa marrë në konsideratë një vizion kompleks, një vizion nga i cili mund të dalë një strategji e saktë. Dhe unë mendoj që gjërat janë realizuar, patjetër që janë realizuar, janë bërë, por kanë nevojë për përmirësim. Pra, këtu është vlerësimi objektiv i një raporti ku të vlerësohen arritjet, por natyrisht të evidentohen edhe “handicap”-et, të cilat nuk mund të kryhen nga një institucion i vetëm, por duhet, ajo që e kam thënë vazhdimisht, një bashkëpunim shumë i frytshëm, ndërinstitucional, mbi bazën e vullnetit politik dhe administrativ.
Megjithatë, kemi pasur një përplasje të fortë mes Prokurorisë dhe Ministrisë së Drejtësisë, Ministrisë së Brendshme, një përplasje e cila u duk se u zbut më tepër nga ndërhyrjet e faktorit ndërkombëtar, sepse ishte e qartë si përplasje, madje nuk mungoi nga ana e shumicës të etiketohet Prokuroria e Përgjithshme edhe si e ndikuar politikisht.
Unë besoj që ka të tilla në dialogun politik dhe besoj që ka dhe teprim. Ka teprime, ka tejkalime të sensit të masës, që shkojnë deri në akuza të pabazuara. Unë besoj që po krijojmë institucione vërtetë në standarde të pranueshme dhe mund t’ju them, që në këtë debat janë përshirë shumë aktorë, natyrisht janë të përfshirë edhe partnerët tanë ndërkombëtarë, sepse sapo folëm për raport-progresin, por janë futur pikërisht ata që ne i konsiderojmë partnerë strategjikë, të cilët janë shumë të interesuar në stabilitetin e demokracisë dhe të institucioneve në Shqipëri.
Zoti President, duke iu rikthyer sërish raport-progresit, një nga çështjet kryesore atje është edhe reforma elektorale, por dje kemi një ngjarje jo të zakontë për jetën politike, 11 deputetë të cilët janë futur në grevë urie në sallën e Parlamentit. Ju si do ta vlerësonit këtë situatë të krijuar?
Unë mendoj që çështja e zgjedhjeve në Shqipëri është një çështje dominante, është një çështje prioritare, që është përmendur me një vëmendje të veçantë në raport-progresin, sepse edhe jemi në prag të zgjedhjeve. Dhe jemi në prag të nevojës për të reformuar Kodin Zgjedhor, por edhe infrastrukturën zgjedhore. Por, në progres-raport thuhet që mungon kultura e dialogut politik midis partive politike, gjë që po vërehet edhe në momentet e reformimit të Kodit Zgjedhor, që ka imponuar që edhe një pjesë e deputetëve t’i mbrojnë interesat e tyre në këtë formë të protestës, që po konsiderohet një protestë demokratike, por është në të drejtën, në vizionin, në perceptimin dhe në pozicionin e çdo partie politike dhe çdo deputeti që do të protestojë pikërisht për arritjen e standardit, që ka të bëjë me marrjen në konsideratë edhe të interesave të tyre.
Zoti President, dhe një pyetje të fundit. Erdhët në këtë post të lartë nga majat e Partisë Demokratike. 16 muaj pas fillimit të punës, si do t’i konsideronit marrëdhëniet me Kryeministrin Sali Berisha? Duket qartë se ato nuk janë dhe aq të mira. Madje, pak kohë më parë, zoti Berisha foli edhe për një përpjekje për të krijuar një pakicë brenda shumicës. Cilat janë shkaqet?
Brenda pyetjes suaj, ju evidentuat, e konfirmuat dhe dolët tek shkaqet, pa marrë përgjigje nga ana ime. Unë vlerësoj në çdo lloj rrethane detyrimet institucionale, që ka ky pozicion të cilin unë mbuloj sot.

Zgjedhjet, Lohan: Duhet klimë besimi

Ambasadori i Delegacionit të Komisionit Evropian në Shqipëri, Helmuth Lohan ka shmangur dje në mënyrë direkte komentet për grevën e urisë së 11 deputetëve, por ka shtuar se miratimi i kodit të ri zgjedhor me konsensus të gjerë do ishte progres i jashtëzakonshëm. “Çështja e kodit elektoral është një çështje e besimit ose mungesës së besimit, që mbretëron mes forcave politike në Shqipëri. Mendoj se do të kishte një progres të jashtëzakonshëm për Shqipërinë nëse do krijohej një klimë besimi mes të gjitha partive politike përpara zgjedhjeve parlamentare, në mënyrë që rezultatet e zgjedhjeve të jenë të pakontestuara”, theksoi Lohan. Pak ditë më parë në një konferencë për shtyp kreu i KE-së në Tiranë, theksoi domosdoshmërinë që kishte miratimi me konsensusin e të gjitha palëve të kodit të ri zgjedhor.

BE: Duhet marrëveshje për KQZ

BLEDAR HOTI

Komisioni Evropian kërkon përfaqësim të duhur të partive parlamentare në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve. Zyrtari i KE-së, që merret me çështjet e Shqipërisë, Dirk Lange në një intervistë dhënë TV KLAN, kërkon që në KQZ të jenë përfaqësues të partive të rëndësishme. Përgjegjësi i Zyrës për zgjerimin e BE-së, Lange, ka lëshuar një mesazh të qartë për politikën shqiptare, në lidhje me institucionin që do të menaxhojë zgjedhjet e ardhshme në vend, duke komentuar dhe çështjen e grevës së nisur nga ana e 11 deputetëve të Kuvendit. “Para së gjithash duhet të them se kjo është një çështje e brendshme e Shqipërisë. Në mënyrë të qartë unë dua të shpresoj se diskutimet për emërimet do të zgjidhen brenda Parlamentit dhe jo përmes kërcënimeve për veprime të dhunshme apo greva urie. Kjo është shumë e rëndësishme. Nga ana tjetër shpresoj që të ketë një përfaqësim të duhur të të gjitha partive parlamentare të përfshira për këtë çështje në KQZ dhe që do të arrihet një marrëveshje për këtë çështje shumë shpejt”, deklaroi Lange. Shefi i zyrës së KE-së, tha se “ajo që është e rëndësishme për Shqipërinë është se zgjedhjet parlamentare të vitit 2009 duhet të jenë në përputhje me standardet ndërkombëtare. Është e rëndësishme që Shqipëria të tregojë se ka një pjekuri në demokraci”. “Tani Kodi Elektoral pritet të miratohet po me aq urgjencë, pasi gjysmë viti para mbajtjes së zgjedhjeve ai duhet të ketë hyrë në fuqi dhe ne shpresojmë vërtetë se ai duhet të realizohet shumë shpejt”, theksoi Lange. Për BE-në plotësimi i kushteve të vendosura ndaj Shqipërisë, si dhe standardet e duhura në zgjedhje janë kriteret kryesore që mund të ndikojnë në marrjen e statusit të kandidatit për në këtë organizëm evropian. “Për një farë periudhe ne themi se për Shqipërinë, ajo çka është e rëndësishme tani është të plotësojnë siç duhet MSA-në dhe të kenë  mbarëvajtje të zgjedhjeve të mëvonshme të 2009. Nëse këto dy gjëra vijnë bashkë, le të themi se Shqipëria nga një anë dëshmon maturitet politik, procesi zgjedhor ndoqi standardet ndërkombëtare dhe në anën tjetër Shqipëria merr përsipër të njëjtat detyrime të saj për marrëveshjet ndërkombëtare dhe atëherë do të ketë shumë shanse për një mendim pozitiv nga komisioni”, përfundoi Lange.

Vizat, mes 2009-2010
Një tjetër temë e prekur ka qenë ajo e vizave me BE-në. Sipas Langes, pas verifikimit në bazë të ekspertëve evropianë mund të vendoset me anë të raporteve nëse lehtësimi i vizave mund të ndodhë gjatë 2009, ose në fillim të 2010. Sipas tij, ka progres në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar por kjo nuk është e mjaftueshme. Ai kërkoi një angazhim për reformën në sistemin e drejtësisë, duke vënë rëndësinë te miratimi i ligjit të ri për Prokurorinë e Përgjithshme.

Majko: Braho në grevë, nuk mund të bëjmë sikur s’ka ndodhur gjë

Ish-kryeministri Pandeli Majko kërkon ndërprerjen e mbledhjes së Komisionit të Ligjeve, për shkak se deputetët e LSI-së janë në grevë. Majko nuk ka pranuar që të vazhdohet mbledhja e komisionit të Ligjeve, pasi relatori i projektligjit “Për gjykatën administrative” ishte deputeti i LSI-së, Spartak Braho. Ai në mënyrë demonstrative ka bojkotuar mbledhjen e komisionit, duke kërkuar ndalimin e shqyrtimit të projektligjit, ku ishe i ftuar dhe Ministri i Drejtësisë, Enkelejd Alibeaj. “Jeni, s’jeni dakord ju, që dikush të jetë në grevë urie, ai është kolegu jonë i respektuar. Unë vetë personalisht, në mungesë të relatorit, dhe për më tepër kur njoh arsyen që ai është në grevë urie, nuk mund të vazhdoj diskutimin për këtë p/ligj sikur s’ka ndodhur asgjë, refuzoj të jem i pranishëm në mungesë të relatorit”, tha Majko. Kryekomisioneri i Ligjeve, Ilir Rusmali ka deklaruar se ka rënë dakord me Brahon që ta lexonte ai relacionin për projektligjin në fjalë, por kjo nuk është pranuar nga deputetët socialistë Dervishi, Fino. Pas largimit të Majkos, deputetët e tjerë të PS-së, të pranishëm në mbledhje, bojkotuan mbledhjen e komisionit, duke bërë që ajo të vazhdonte vetëm me përfaqësuesit e maxhorancës. Demokratët në këtë komision dhe pas apelit të Majkos nuk kanë preferuar që të mos shqyrtojnë p/ligjin “Për gjykatën administrative”.

Greva e urisë, lajmi çudit deri në Azi

Lajmi i grevës së urisë së 11 deputetëve të parlamentit shqiptar ka zënë një hapësirë të madhe në të gjithë shtypin ndërkombëtar. Agjencitë më prestigjioze të lajmeve në Evropë, SHBA e deri në Azi kanë shkruar për grevën e nisur dy net më parë në ambientet e Kuvendit. Agjencia “Reuters” shkruan se “dhjetë anëtarë të parlamentit nisën grevën e urisë në Kuvend të hënën në mbrëmje”. Ndërkohë, agjencia “Mina” e Kanadasë shkruan se “11 deputetë nga partitë e vogla të opozitës nisën një grevë urie për të protestuar ndaj draftit të kodit të ri zgjedhor”. Gjithashtu edhe agjencia amerikane e lajmeve “Asociated Press” i ka kushtuar hapësirë grevës së urisë së deputetëve të LSI-së, PDK-së dhe PS ’91. Ndërkohë që lajmi është transmetuar edhe në agjencitë aziatike.

Babasi dënohet me 1 javë jashtë Kuvendit

Kuvendi ka dënuar me një javë deputetin e PD-së, Ndriçim Babasi, për shkak të fyerjes së lëshuar në seancën e dy ditëve më parë ndaj deputetes socialiste Arta Dade. Byroja e Kuvendit është mbledhur dje në drekë me kërkesën e kryetares së grupit të PS-së, Valentina Leskaj. Sipas burimeve mësohet se anëtarët e maxhorancës në Byro nuk kanë qenë dakord që ta ndëshkojnë deputetin demokrat. Pas shumë diskutimesh është vendosur që deputeti i PD të ndëshkohet vetëm një javë me mos pjesëmarrjen në punimet parlamentare. Një masë e tillë e vogël ndëshkimore u vendos pasi vetë Babasi i kërkoi ndjesë publike Arta Dades për fjalët e lëshuara. PS kishte deklaruar se nuk kthehej në seancat parlamentare pa u vendosur më parë ndëshkimi i deputetit. Ky ishte kushti i vetëm, i cili u plotësua nga maxhoranca.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›