E Diel, 1 Nëntor 2026

Tortura qytetarëve në polici, kapet oficeri

 

SARANDE

Arrestohet oficeri i policisë së Sarandës, Ardit Hasanbegaj, i akuzuar për keqtrajtimin e dy qytetarëve gjatë marrjes në pyetje pak ditë më parë. Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm, SHKB, në Ministrinë e Brendshme ka finalizuar dje rreth mesditës hetimin e filluar më 5 nëntor 2008 për ushtrim dhune në policinë e Sarandës, ndaj dy personave që po merreshin në pyetje, Aristidh Gllucaj dhe Oltjon Varfi. Lajmi është konfirmuar nga zëdhënësi i Ministrisë së Brendshme, Fatmir Konja, i cili tha dje se “në datën 5 nëntor 2008, në Komisariatin e Policisë Sarandë janë keqtrajtuar gjatë procesit të marrjes në pyetje shtetasit Aristidh Gllucaj dhe Oltjon Varfi. Pas kryerjes së hetimeve disa ditore, Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm ka referuar në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Sarandë specialistin e luftës kundër trafiqeve në Komisariatin e Policisë Sarandë, Kryeinspektor Ardit Hasanbegaj. Ndaj tij është regjistruar procedimi penal nr. 427, datë 7 nëntor 2008, për veprën penale të “kryerjes së veprimeve arbitrare”, konfirmoi zëdhënësi i Ministrisë së Brendshme. Sipas tij, pas fillimit të procedimit penal më 11 nëntor 2008, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë ka bërë pezullimin nga detyra të punonjësit të policisë Ardit Hasanbegaj, i cili u ndalua nga strukturat e Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm dhe mbahet i arrestuar në Komisariatin e Policisë Sarandë. Kryeinspektori akuzohet në mënyrë të veçantë për dhunë fizike të ushtruar ndaj qytetarit Aristidh Gllucaj, i cili pësoi gjendje të fikëti në sallën e gjyqit në Sarandë, pasi ishte ndaluar dhe marrë në pyetje duke u rrahur për akuzën e “dhënies ndihmë në kalim të paligjshëm të kufirit”. Sipas hetimeve mësohet se Aristidh Gllucaj bashkë me disa persona të tjerë kanë tentuar kalimin e kufirit shtetëror si klandestinë, ndërsa policia ka bërë arrestimin e tyre, por ata janë rrahur në komisariat gjatë marrjes në pyetje. 
Hetimi për oficerët
Dhuna e ushtruar ndaj dy personave që po merreshin në pyetje në policinë e Sarandës, është bërë shkak që Ministria e Brendshme dhe SHKB-ja të dërgojë në drejtim të qytetit jugor një trupë hetuesish me pesë oficerë nga zyrat qendrore. Pas qëndrimit 4-ditor në Sarandë, ata kanë arritur të mësojnë se në momentin e marrjes në pyetje të dy personave të keqtrajtuar, kanë qenë të pranishëm katër punonjës policie, konkretisht: Shefi i Sektorit të Krimit të Organizuar, Artan Hasanpapa, specialisti Leonard Xhindi, specialisti Ergys Baxhaku dhe oficeri i arrestuar tashmë, Ardit Hasanbegaj. Pas konfirmimit të këtyre fakteve përmes pyetjes së personelit policor, qytetarëve të dhunuar, familjarëve të tyre dhe dëshmitarëve të ngjarjes, si dhe këqyrjes së provave materiale, dokumenteve dhe raportit mjekësor për dëmtimet e qytetarëve, grupi i oficerëve të SHKB-së ka vendosur të marrë në hetim dhe të referojë në Prokurorinë e Sarandës, si persona në hetim edhe tre oficerët e pranishëm në ushtrimin e dhunës, veç kryeinspektorit të arrestuar tashmë. Sipas burimeve nga Ministria e Brendshme, mësohet se arrestimi i oficerit Ardit Hasanbegaj ka paraqitur dje vështirësi, pasi ai siç duket ishte informuar nga kolegë të tij në policinë e Vlorës dhe Sarandës dhe ishte fshehur duke mbyllur edhe telefonin. Megjithatë ai është gjetur dhe arrestuar nga oficerët e SHKB-së që ndodheshin duke bërë hetime në Sarandë prej datës 7 nëntor 2008.                          t.s/sh.d

Reagon Ina Rama

Qëndrimi i mbajtur dje nga Avokati i Popullit dhe vartësit e tij lidhur me dhunën e ushtruar në policinë e Sarandës, shkaktoi reagimin e menjëhershëm të Kryeprokurores Ina Rama. “Prokurorja e Përgjithshme është informuar për ngjarjen e ndodhur në Sarandë, të keqtrajtimit të shtetasit Aristidh Glluçaj dhe është vënë në dijeni të shqetësimit të përcjellë nga Avokati i Popullit. Ajo ka urdhëruar Prokurorinë e Sarandës të kryejë një hetim të shpejtë, efektiv dhe objektiv”.

Vonesa e arrestit

Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm mësohet se kishte kërkuar në Prokurorinë e Sarandës regjistrimin e dosjes penale dhe fillimin e hetimeve ndaj punonjësve të policisë, përkundër vullnetit të Prokurorisë dhe drejtuesve lokalë të policisë së Vlorës dhe Sarandës. Këta të fundit mësohet se në vazhdimësi kanë mbështetur efektivat, që tani janë vënë nën akuzë për ushtrimin e dhunës në komisariatin e Sarandës.

Dhuna, Dobjani kritika Policisë dhe Prokurorisë
TIRANE - Avokati i Popullit, Ermir Dobjani, lëshoi dje një “rrebesh” akuzash mbi policinë e Sarandës, për dhunën e ushtruar ndaj një të riu në ambientet e komisariatit të këtij qyteti një javë më parë. Të ashpra dhe plot indinjatë kanë qenë edhe akuzat për prokurorinë dhe gjykatën e këtij rrethi, të cilat nuk kanë reaguar për këtë rast. Me anë të një deklarate përpara mediave, Dobjani shprehu shqetësimin e institucionit që ai drejton për neglizhencën e treguar nga këto organe dhe kërkoi vënien përpara ligjit të përgjegjësve të dhunës. Dobjani pohoi se kërkesa verbale e bërë nga ai në 8 nëntor në Prokurorinë e Sarandës për fillimin e hetimit ndaj oficerit të Policisë Gjyqësore Sarandë, Ardit Hasanbegaj, për veprën penale të “torturës” kishte rënë në vesh të shurdhët. Shkak i deklaratës së djeshme është bërë ngjarja e pak ditëve më parë në Sarandë, ku Aristidh Glluçajt i ra të fikët në sallën e gjyqit gjatë seancës së masës së sigurisë. Kjo si rezultat i keqtrajtimeve ndaj tij në komisariatin e policisë, ku ishte shoqëruar me dyshimin për tentativë kalimi klandestin të kufirit. “Veç kësaj, në gjendje të rënduar shëndetësore, gjykata vendosi ndaj tij ‘arrest në burg për 30 ditë’, në një kohë që ndaj kriminelëve që ushtruan torturën bën një sy qorr dhe një vesh shurdh”, tha Dobjani. “Fushata e tolerancës zero në luftën kundër trafiqeve, në asnjë rast nuk mund dhe nuk duhet të legjitimojë ushtrimin e dhunës deri në kufijtë e torturës nga ana e Policisë së Shtetit shqiptar”, u shpreh ai. Sipas tij, “të quash organizator të trafikut një qytetar të thjeshtë e të varfër deri në ekstrem, që merr rrugën e emigrimit me një copë bukë e djathë në trastë, kjo nuk është luftë kundër trafikut, por alibi e luftës kundër trafikut, sepse edhe në rastin konkret vetëm se kamuflohen autorët dhe organizatorët e vërtetë të këtij trafiku”. Avokati i Popullit nuk kurseu as akuzat direkte drejt prokurorit dhe gjyqtares së seancës. “Deri kur do vazhdojnë këto shfaqje oportunizmi dhe mbrojtje të policëve nga prokurorët? Po gjyqtarja e Sarandës pse nuk reagoi kur dy personat e rrahur u paraqitën në atë gjendje para saj? Po kur njëri prej tyre u ‘këput’ para syve të saj, pse nuk urdhëroi masat penale që ia lejon ligji ndaj autorëve të torturës?”, u shpreh ai. Në përfundim të deklaratës Dobjani i bëri thirrje Prokurores së Përgjithshme dhe ministrit të Brendshëm që të reagojnë ndaj kërkesave të tij. Në rast të kundërt ai theksoi se do t’i kërkonte Kuvendit të fliste para tij për çështjen e rëndësishme të torturës ndaj qytetarëve shqiptarë.             ar.ba

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›