Bode insiston: Rritja do jetë 6 për qind
Fabiola Çela
Rikthehet debati mes qeverisë dhe FMN-së, këtë herë për nivelin e rritjes ekonomike të vendit. Ministri i Financave, Bode, ka insistuar sërish se rritja ekonomike vitin e ardhshëm do të jetë 6 për qind dhe jo 3.5-4 për qind, siç deklaroi FMN-ja. Ndërkohë qeveria ka rënë dakord me FMN-në për të shtyrë uljen e sigurimeve nga 1 janari, që ishte planifikuar më 1 maj të vitit të ardhshëm. E ndërsa marrëveshja 3-vjeçare që qeveria shqiptare kishte me FMN-në është drejt përfundimit, ministri i Financave është shprehur se Fondi do të kthehet sërish në Shqipëri pas zgjedhjeve. Çka do të thotë se qeveria shqiptare do të vazhdojë marrëveshjet e saj me FMN-në, por me kushte të tjera.
Rritja ekonomike
Të dhënat e Ministrisë së Financave për vitin 2009 nuk përputhen me ato të Fondit Monetar Ndërkombëtar. Ndërsa shefi i misionit të FMN-së, Gerwin Bell deklaroi se rritja ekonomike e Shqipërisë për 2009-ën do të jetë 3.5-4 për qind, kreu i Financave, Bode, deklaron tjetër nivel rritjeje, atë më të lartën në rajon. “Programi i vitit 2009 është realist. Ne kemi programuar që rritja ekonomike të jetë në të njëjtat parametra me vitin 2008, në nivelin 6%, që është dhe rritja më e fortë ekonomike në rajon”, është shprehur Bode. Sipas tij, qeveria ka programuar që treguesit e inflacionit të jenë konform programit afatmesëm të deklaruar nga BSH-ja. “Kemi programuar një rritje të performancës fiskale dhe një stabilitet të qëndrueshëm në treguesit fiskalë të buxhetit për të mënjanuar efektet që mund të vijnë nga e ashtuquajtura krizë që tashmë ka përfshirë tregjet financiare ndërkombëtare. Programi për vitin 2009 parashikon një ulje me 1 pikë përqindje të PBB–së të deficitit buxhetor dhe do të mundësojmë instrumente të mjaftueshme për të shërbyer këtë deficit të ri, që do të programojmë për vitin 2009 si mbështetje për investimet e mëdha publike që janë duke u zhvilluar”, ka sqaruar kreu i Financave.
Sigurimet
Qeveria ka vendosur që norma e kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësorë të ulen me 5 për qind, kjo për pjesën që paguan punëdhënësi. Në fakt një vendim i tillë nuk u prit mirë nga ndërkombëtarët e FMN-së, të cilët i rekomanduan qeverisë që të mos ndërmerrte një hap të tillë. Por, pavarësisht kësaj, qeveria planifikoi uljen e kësaj takse vitin e ardhshëm. Por për një pikë qeveria dhe Fondi kanë rënë dakord për shtyrjen e uljes së kësaj takse. “Misioni do të rekomandonte që çdo ulje në normat e sigurimeve shoqërore, të presë një reformë të gjerë të pensioneve, që do të forconte lidhjen midis kontributeve e përfitimeve dhe do të jepte shtysa të rëndësishme për vetë-zbatim. Kjo do të ndihmonte luftën kundër informalitetit dhe do t’i lejonte autoritetet që të mbështeten më pak në rregulloren administrative penguese, që aktualisht krijojnë hapësira të konsiderueshme për interpretim dhe korrupsion”, ka thënë Bell. Pas kësaj ka reaguar edhe ministri Bode. “Fondi ka kërkuar për të marrë të gjitha instrumentet e nevojshme të sigurisë për vitin 2009, dhe ne jemi dakord që ta konsiderojmë si qeveri që ndryshimi të bëhet nga data 1 maj. A do ta ndryshojmë në buxhet? Ne do të zgjerojmë rezervat që ka buxheti për vitin 2009 dhe t’i përdorim ato pas zgjedhjeve për të bërë gjëra të mëdha”, u shpreh kreu i Financave.
Marrëveshja
FMN-ja do të jetë sërish e pranishme në Shqipëri pas zgjedhjeve. “Do të bashkëpunojmë ngushtë me FMN-në, sigurisht jo në marrëveshjet e tipit të deritanishëm, por me marrëveshje të përshtatshme për Shqipërinë. Deri në përfundimin e zgjedhjeve sigurisht që nuk është normale që ne të fillojmë negociata dhe të nënshkruajmë marrëveshje. Ne presim që menjëherë pas zgjedhjeve Fondi të rikthehet në Shqipëri dhe jemi të bindur që do të rikthehet në një situatë shumë të mirë ekonomike për vendin dhe Shqipëria do të ketë një marrëveshje me FMN-në krejt të ndryshme nga ajo që patëm deri më tani, një marrëveshje e cila do të ketë shumë pak objektiva, shumë pak parametra”, ka sqaruar dje Bode.
Qëndrimet Bode-FMN
FMN
Në 2009-ën do të ketë një rritje ekonomike domethënëse midis 3.5 dhe 4 për qind.
Bode
Rritja ekonomike do të jetë në të njëjtat parametra me vitin 2008, në nivelin 6%, që është dhe rritja më e fortë ekonomike në rajon.
Sigurimet
FMN
Misioni do të rekomandonte që çdo ulje në normat e sigurimeve shoqërore, të presë një reformë të gjerë të pensioneve, që do të forconte lidhjen midis kontributeve dhe përfitimeve.
Bode
Fondi ka kërkuar të marrë të gjithë instrumentet e nevojshme të sigurisë për vitin 2009, dhe ne jemi dakord që ta konsiderojmë si qeveri që ndryshimi të bëhet nga data 1 maj.