E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nis projekti mbi menaxhimin dhe kontrollin e brendshëm financiar

 

Forcimi i kontrollit në sektorin publik është dhe një nga kërkesat kryesore për Shqipërinë në fushën e financave lidhur me aplikimin për anëtarësimin në Bashkimin Evropian. Për të përmirësuar kontrollin e brendshëm, qeveria shqiptare ka nisur zbatimin e projektit të dytë të financuar nga Komisioni Evropian mbi “Zhvillimin dhe kontrollin e brendshëm financiar publik” PIFC II, për vitet 2008-2010. Në prezantimin e projektit ndodheshin ministri i Financave, Ridvan Bode, ai i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Genc Ruli dhe ambasadori i Komisionit Evropian në Shqipëri, Helmuth Lohan. Gjatë periudhës 2005–2008 janë ndërmarrë një sërë aktivitetesh për forcimin e Kontrollit të Brendshëm Financiar Publik. Produktet më të rëndësishme që janë realizuar në këtë periudhë janë Ligji për Auditimin e Brendshëm, manuali për Auditimin e Brendshëm dhe ligji “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”. Bazuar në këto ligje dhe rregullore është ristrukturuar shërbimi i Auditit të Brendshëm dhe forcuar pavarësia e tij si dhe janë krijuar dy qendra të harmonizimit të legjislacionit financiar pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Thesarit dhe pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Auditit të Brendshëm. Këto dy qendra kanë përgjegjësinë për të siguruar vendosjen e parimeve dhe standardeve kryesore të menaxhimit financiar dhe në kontrollin publik.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›