E Diel, 1 Nëntor 2026

Greva e deputetëve orë pas ore, Ndoka: Pimë ujë çisterne, jemi në kushte qelie

 

adi shkembi

Deputetët kaluan 24 orët e para të grevës në të ftohtë, me ujë çezme, por duke folur për debatet e fundit politike. Kryetari i Partisë Demokristiane, Nard Ndoka tregon në një intervistë për gazetën “Panorama”, detajet e ditës së parë të “ngujimit” të 11 deputetëve.
Si kaloi dita e parë e grevës?
Në përgjithësi mirë, për faktin se deputetët janë tashmë të vendosur, morali është i lartë, me gjithë pengesat primitive që bëhen nga kryetarja e Kuvendit, e cila i vendosi në kundërshtim me rregulloren e parlamentit dhe me ligjet në fuqi në ambientet e Kuvendit një pajisje përgjuese për celularët. Kjo pajisje u zbulua nga deputetët e grevës dhe është tani si provë për t’iu paraqitur Prokurorisë, ku ka vend për procedim penal për arsye se është shkelur ligji “Për përgjimet”, por edhe statusi i deputetit. Ka pasur pengesa nga më të ndryshme dhe provokime nga punonjësit e gardës. Kushtet janë minimale. Kryetarja e Kuvendit nuk denjon, që të vendosë një televizor për të ndjekur ngjarjet. Ka mbyllur sallën e internetit dhe besoj se këto janë veprime të një neodiktatoreje. Por këto janë probleme të parëndësishme për ne. Ne jemi të vendosur, që edhe në këto kushte të vështira të vazhdojmë grevën tonë.
Keni pasur incidente brenda sallës së Kuvendit me gardistët?
Ka pasur më tepër njëlloj proteste nga ana e deputetëve lidhur me pajisjet e përgjimit. Ata i vendosën sërish një pajisje tjetër për telefonat, diku në ambientet e jashtme të parlamentit. Pati një debat nga deputetët me punonjësit e Gardës, të cilët marrin urdhra politike.
Kur e zbuluat përgjuesin e parë? Kush e zbuloi?
Përgjuesi i parë u zbulua rreth orës 11:00, për arsye se u bllokuan telefonatat. E zbuluan dy nga kolegët tanë në grevë.
Po përgjuesi i dytë?
Edhe të dytin në mëngjes e kanë vënë, por nuk e mori vesh njeri në çfarë ore e vunë.
Si e kaluat natën mbrëmë?
Natën mirë e kaluam, me kushte të vështira, pa ngrohje. Kryetarja e Kuvendit i kishte marrë të gjitha masat, që ne të ndërprisnim grevën, duke krijuar këtu kushtet e një qelie.
Pasi mbaroi seanca parlamentare, direkt u hoqën kondicionerët?
Pasi mbaroi seanca kryetarja e parlamentit urdhëroi stafin e parlamentit të stakonte kondicionimin e sallës plenare. Duhet thënë se parlamenti ka disa salla të tjera, të cilat tani janë të kyçura.
Sot paradite u fol edhe për temperatura të ulëta në Kuvend? Apo nuk është e vërtetë?
Kjo pjesë ka edhe humorin brenda.
Me çfarë u morët natën e parë. Biseduat, apo kishte deputetë që i zuri gjumi?
Deputetët e kaluan një pjesë të mirë të kohës me debatet e fundit politike, duke shfrytëzuar këto ambiente për të diskutuar për shumë gjëra për realitetin shqetësues në vend. Pjesa e gjumit nuk besoj se është shumë e rëndësishme në këtë moment që jemi ne.
Keni mundësi të pini ujë, apo edhe të kryeni nevojat tuaja personale?
Uji këtu është ujë çezme. Nuk kemi asnjë lloj sigurie se sa i pastër është ai. Vjen nga cisternat dhe është në ambientet e banjove të Kuvendit.
Sot paradite ka pasur deputetë, që kanë shfaqur probleme shëndetësore?
Po ishin dy deputetë që kanë pasur shqetësime të vogla. Kjo për arsye se ishte dita e parë, por edhe për shkak të moshës. Kanë pasur luhatje tensioni.
Rreth orës 10:30 zoti Prifti nuk u lejua të hynte më në sallën e parlamentit. Kur e kuptuat se komunikimi mes jush dhe ambienteve të jashtme u ndërpre?
Ky ishte dhe kulmi i papërgjegjshmërisë së kryetares së parlamentit, e cila po telekomandon stafin e Kuvendit kur zoti Dritan Prifti dhe zoti Jak Ndoka ishin përfaqësues të deputetëve për të marrë kontakte me mediat. Pasi dolën për të folur në media ata nuk u lejuan të rikthehen më në Parlament. Është absurde që deputeti ndalohet nga forcat e policisë. Është shkelje e statusit të deputetit, por ky është tashmë një shtet diktatorial, teksa bëjnë gjëra të tilla.
Një pyetje paksa personale, keni pasur komunikim me familjarët, të afërmit. Çfarë u thonë?
Pa diskutim që të gjithë ndjekin me shqetësim grevën. Momentet që ata marrin vesh që ne jemi pa ujë, pa ngrohje dhe në kushte të vështira, është një shqetësim i ligjshëm i familjarëve tanë. Por ne e bëjmë këtë me vetëdije të plotë, pasi vota është e shenjtë.
Po me ambasadorë e deputetë keni pasur kontakte?
Kam pasur komunikim me përfaqësuesit demokristianë italianë, me CDU gjermane dhe me deputetë të parlamentit evropian. Ata janë informuar edhe përmes mediave ndërkombëtare për grevën, por edhe nga ne morën informacion për situatën dhe cila ishte arsyeja e kësaj greve. Ka një sensibilitet të opinionit ndërkombëtar.
Po me deputetë të maxhorancës këtu në Shqipëri keni pasur ndonjë kontakt?
Maxhoranca është e terrorizuar. Unë kam qenë anëtar i kabinetit qeveritar prej 16 muajsh dhe e di mirë. Është tmerrësisht e vështirë në këtë situatë që ata të flasin me ne. Megjithatë, ka pasur deputetë që na kanë telefonuar dhe na kanë dhënë kurajë.
Mund të na thoni ndonjë emër?
S’besoj se është e udhës, për shkak se ata mund të penalizohen, pasi ashtu funksionon Partia Demokratike.
Jeni në dijeni të dy deklaratave të Berishës dhe Topallit lidhur me grevën?
Janë deklarata të papërgjegjshme. Zonja Topalli ndryshe flet dhe ndryshe vepron. Ajo për mua është një monstër e politikës shqiptare. Ndërsa zoti Berisha përpiqet që fajin e reformës zgjedhore t’ia atribuojë zotit Rama. Por ai është i gabuar, për shkak se është përgjegjësi kryesor për kodin Zgjedhor.

Meta: Kam marrë solidaritet nga deputetë të PS-së dhe PD-së

Kreu i LSI-së, Ilir Meta, deklaroi dje se ka shumë mesazhe solidariteti nga përfaqësues të PS-së dhe PD-së, si dhe nga faktorët ndërkombëtarë. “Ne jemi vazhdimisht në kontakte, si me faktorë politikë brenda vendit dhe mund të them se kemi marrë shumë mesazhe solidariteti, edhe nga përfaqësues të PS apo PD, dhe nga shumë faktorë të tjerë politikë në vend. Njëkohësisht, jemi në kontakt dhe me përfaqësues të diplomacinë perëndimore në Tiranë, apo jashtë vendit. Për momentin kaq mund të themi. Kuptohet se greva e urisë e ka sjellë edhe më tepër në vëmendjen e tyre shqetësimin për rrezikun e madh të manipulimit të zgjedhjeve vitin e ardhshëm, bazuar në kodin e regresit, PD-PS”, deklaroi Meta. Ndërsa lideri i LSI-së komentoi dhe qëndrimin e Berishës për grevën e nisur nga parlamentarët shqiptarë. “Nuk ka pasur reagim nga Partia Socialiste, sepse duhet të kuptoni se Berisha ka kohë që nuk flet vetëm në emër të Partisë Demokratike, por flet dhe në emër të Partisë Socialiste. Dhe jo vetëm kaq, por e përdor Partinë Socialiste dhe për të fshehur, shpeshherë, synimet e tij të vërteta. Ndaj dhe prononcimi i tij sot, se ai ka si partner kryesor PS, nuk është gjë tjetër veçse përfundimisht rrëshqitje në krimin e prishjes së zgjedhjeve të PS, pasi dihet që Berisha është një shkatërrues i njohur dhe i konfirmuar i zgjedhjeve në Shqipëri, që nga viti 1996”, theksoi Meta. Kreu i LSI-së ka bërë të qartë gjithashtu dhe problemet të nxitura në mënyra artificiale.

Deputetët, të izoluar e pa ngrohje

Aristir Lumezi

Në ditën e dytë të saj, greva e 11 deputetëve nuk ka qenë aspak e qetë. Që në orët e para të mëngjesit Garda e Republikës me forcat më të mira të saj, por dhe efektivë të FNSH-së kishin bllokuar të gjitha hyrjet dhe daljet e Kuvendit të Shqipërisë. Gjithashtu, furgonë të shumtë të policisë me efektivat e tyre kishin qarkuar rrugët rreth parlamentit, duke e kthyer atë në godinën më të  fortifikuar në vend. Rreth orës 9:00 të mëngjesit deputeti Jak Ndoka, i cili ka dalë jashtë rrethimit të kuvendit për të komunikuar me mediat, nuk është lënë më pas të rikthehet brenda për të vazhduar grevën. Ky ka qenë incidenti i parë me Gardën e Republikës, të cilët edhe pse nuk jepnin asnjë shpjegim për urdhrin e marrë, nuk lejonin deputetët Ndoka dhe Prifti të hynin në ambientet e grevës. Deputeti i LSI-së, i cili ka marrë rolin e zëdhënësit dhe komunikuesit me mediat për grevën, tha se për këtë incident dhe qëndrim të gardës, ishte munduar të komunikonte me kryeministrin Berisha, por ai nuk i ishte përgjigjur në telefon. Ndërkohë, mësohet se deputetët grevistë brenda sallës së kuvendit nuk mund të komunikonin përmes telefonave celularë, për shkak të një zhurmuesi të vënë në ambientet e grevës nga Garda e Republikës. Deputetët e kanë konsideruar këtë akt një provokim, i cili nuk mund të sillte asnjë efekt negativ ndaj qëllimit të saj. Deputetët në sallë kanë konstatuar pajisjen dhe kanë çinstaluar atë, duke bërë të mundur komunikimin me median dhe të familjarët e tyre. Kanë qenë këto momente kur grevistët kanë marrë dhe mbështetje nga shumë personalitete dhe njerëz të shquar në vend. Ndër to, edhe patriarku i PS-së, Dritëro Agolli, i cili ka mbështetur grevën dhe qëllimin e saj, përmes një telefonate të gjatë me Ilir Metën. Ndërkaq, mësohet se kushtet e mbijetesës së deputetëve në ambientet e Kuvendit janë aspak normale. Mësohet prej grevistëve se ngrohja ka munguar gjatë gjithë natës, po ashtu dhe uji i pijshëm. Por nga salla e është ndërprerë edhe çdo lloj komunikimi me jashtë sallës. Sistemi wirless i internetit është çinstaluar, por dhe monitorët nga mund të ndiqeshin televizionet, që tashmë kishin nisur të bënin lidhjet live me ambientet rreth Kuvendit. Sipas deputetëve grevistë, i vetmi mjet nga ata kanë ndjekur zhvillimet jashtë, ka qenë një celular TV ku dhe pse sinjali ka qenë i dobët, kanë mundur të ndjejnë dhe marrin kurajë nga mbështetësit e tyre jashtë kangjellave të Kuvendit, i cili ruhej me trupa të përforcuar. Sipas Dritan Priftit, administrata e Kuvendit nuk i është përgjigjur kërkesës për të normalizuar gjendjen brenda ambienteve të tij. Prifti tha se kishte komunikuar me sekretarin e përgjithshëm të Kuvendit, Albert Kushti, i cili sipas tij, nuk i është përgjigjur kësaj kërkese me pretendimin se ai përgjigjej vetëm për seancat plenare çdo të hënë dhe të enjte. Ndërkaq jashtë kuvendit, shumë mbështetës kishin krijuar korin e parë të protestuesve, të cilët kërkonin votën e lirë dhe shpreheshin jo veprimeve prej diktature. Në krye të tyre ishte LRI. Rreth orës 11:30 në hyrjen kryesore, një autoambulancë mbërrin në portën kryesore të kuvendit. Dy mjekë me të gjitha pajisjet dhe medikamentet pasi kishin marrë urdhër nga Ministria e Shëndetësisë për të kontrolluar gjendjen shëndetësore të dy deputetëve, që kishin ndjerë lëvizje tensioni. Bëhej fjalë për deputetin e LSI-së Spartak Braho dhe deputetin e PDK-së Ymer Tola. Por autoambulanca bashkë me mjekët, që transportonte nuk është lejuar të hyjë brenda e në këtë mënyrë nuk u bë e mundur ardhja në ndihmë deputetëve që ndjenin shqetësime. Protestuesit që tashmë ishin bërë disa mijëra protestuan për këtë bllokim të gardës, ndërsa ambulanca u largua nga dera kryesore e kuvendit. Gjatë orëve të pasdites grupi i mjekëve pas ndërhyrjes së deputetit Prifti tek kryetarja e Kuvendit, është lejuar të hyjë në sallë dhe ka vizituar deputetët që kanë pasur shqetësime. Ndërsa gjatë mbrëmjes një grup mjekësh dhe një autoambulancë janë instaluar në shërbim 24 orë pranë grevistëve për të ndjekur nga afër ecurinë e tyre shëndetësore.  

Ngrohja
Deputetët grevistë kanë kaluar gjithë natën pa ngrohje. Administrata e kuvendit duket se ka fikur kondicionerin që bën të mundur rregullimin e temperaturës brenda sallës. Kjo ka qenë shqetësuese për pjesëmarrësit në këtë grevë. Ky fakt është denoncuar gjatë natës, por dhe në mëngjes nga deputetët grevistë. Edhe pse është kërkuar ndërhyrja nga përgjegjësit e administratës së kuvendit, ky problem nuk është zgjidhur, ndërsa deputetët janë munduar të ngrohen me disa rroba më tepër për t’i rezistuar temperaturave të natës.

Zhurmuesi
Në orët e para të mëngjesit, deputetët kanë zbuluar në një nga lozhat e sallës së Kuvendit një aparaturë zhurmuese, që bllokonte valët e celularëve të dy kompanive të telefonisë lëvizëse. Derisa është zbuluar kjo aparaturë, deputetët në grevë nuk kanë pasur mundësi të komunikojnë me askënd, duke i shkëputur ata nga zhvillimet jashtë sallës së kuvendit. Por edhe pse deputetët e kanë shkëputur nga puna këtë aparaturë, gjatë orëve të pasdrekes, është tentuar sërish nga ana e gardës, pasi vetëm ajo mund të qarkullonte në ambientet e kuvendit një tjetër pajisje, që do të bllokonte valët e celularëve. Përsëri ajo është nxjerrë jashtë funksioni.

Uji i pijshëm
Edhe uji i pijshëm i ka munguar deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë të futur në grevë urie. Sipas deputetëve, uji që ata konsumonin ishte ujë depozite, ndërsa në standardet e grevave, pjesëmarrësit në to lejohen të konsumojnë ujë të pijshëm. Si edhe në ngujimin e dy viteve më parë për anëtarin e KQZ-së, deputetët e ngujuar nuk kishin asnjë kusht jetese brenda ambienteve të kuvendit. Edhe pse është ndërhyrë për zgjidhjen e kësaj çështje, nga ana e parlamentit nuk është dhënë asnjë mundësi që grevistëve të urisë mos t’i mungojë uji i pijshëm.

Autoambulanca
Deputetët grevistë të urisë nuk u lejuan të merrnin shërbim mjekësor në mëngjes, pasi Garda e Republikës nuk lejoi autoambulancën të kalojë portën kryesore të kuvendit, që ruhej nga forca të armatosura. Garda por dhe forcat speciale nuk kishin marrë urdhër nga drejtuesit e tyre, që të lejonin shërbimin mjekësor për dy deputetë, Spartak Braho dhe Ymer Tola që kishin ndjerë luhatje tensioni. Por në orët e pasdites, kryetarja e Kuvendit është bindur për domosdoshmërinë e prezencës së mjekëve pranë grevistëve të urisë, duke instaluar më në fund pranë grevistëve një shërbim permanent mjekësor.

LSI, padi TVSH për lajm të rremë

Padi edhe ndaj Televizionit Publik Shqiptar ka depozituar LSI për shkak të një dezinformimi, që është bërë në një nga edicionet e djeshme informative. “Në edicionin e orës 16:00, TVSH dha një informacion të gënjeshtërt, sipas së cilit, “deputetët grevistë u përleshen me forcat e Gardës, pasi nuk u lejuan nga këta të fundit të fusnin ushqime në ambientet, ku po zhvillohej greva e urisë”. Në fakt, ky informacion është krejtësisht i rremë dhe provokativ, pasi Garda e Republikës ka rrethuar si në shtetrrethim Parlamentin, duke mos lënë asnjë person të hyjë brenda, as mediat, as deputetët dhe jo më ndonjë njeri që t’u çonte ushqime deputetëve në grevë urie”, shprehet LSI përmes një deklarate për shtyp. Sipas LSI, deklarata të tilla janë shpifje të ulëta dhe provokative.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›