E Shtunë, 31 Tetor 2026

Arrestohet për korrupsion shefi i klinikës në Spitalin e Burgjeve

Skandal me personelin mjekësor
në Spitalin e Burgut.
Të dënuarit detyrohen të
paguajnë para për t‘iu nënshtruar
operacioneve të nevojshme. Një
gjë e tillë dyshohet se ka ndodhur
për një kohë të gjatë, ndërkohë
që dje është arrestuar një mjek, i
cili akuzohet për korrupsion dhe
mitëmarrje. Ardian Nelaj duket
se kishte zgjedhur një rrugë tjetër
për të marrë para nga pacientët,
duke zhvatur të burgosurit, të
cilët kishin nevojë për ndërhyrje
kirurgjikale. Shefi i klinikës së Spitalit
të Burgut në Tiranë dyshohet
se e ka kryer disa herë këtë vepër
penale, duke i quajtur ndërhyrjet
e tij kirurgjikale si "Standard i
Garantuar". Një emër të tillë ka
marrë edhe operacioni i djeshëm
nga Task-Force, i cili është finalizuar
me arrestimin e 38-vjeçarit
të dyshuar.
Arrestimi
Burimet zyrtare nga Drejtoria
e Policisë së Tiranës bënë të ditur
se dje pasdite është finalizuar
operacioni i koduar "Standardi i
Garantuar", nga Seksioni Kundër
Korrupsionit në Sektorin Kundër
Krimit Financiar, në bashkëpunim
me njësinë e Task-Force në
Prokurorinë e Tiranës. Gjatë këtij
operacioni u vendos në pranga
38-vjeçari Ardian Njazi Nelaj. "Në
ngarkim të tij, Prokuroria e Rrethit
Gjyqësor Tiranë kishte nisur procedimet
penale, sepse dyshohej
për konsumim të korrupsionit
pasiv të personave që ushtrojnë
funksione publike", deklaroi zyrtarisht
Policia e Tiranës. Nga grupi
hetimor mësohet se, bazuar në
metodat speciale të hetimit, u
konkludua se Ardian Nelaj, me
profesion kirurg, me detyrë shefi
i klinikës së Spitalit të Burgut në
Tiranë, dyshohet se përfitonte
para, duke ua kërkuar pacientëve
të ndryshëm, në këmbim të
kryerjes së operacioneve kirurgjikale.
Burimet policore thanë
se këto operacione i zhvillonte në
sallën e Urgjencës së Spitalit Nr. 2.
Në sajë të grumbullimit të saktë të
informacioneve operative, rezultoi
se mjeku u kërkonte ryshfet të
afërmve të pacientëve, shumë e
cila varionte nga 20 mijë deri në
30 mijë lekë të reja për një operacion.
Nga të dhënat e Task-Force
mësohet se disa persona ishin
ankuar gjatë kohëve të fundit, prej
të cilëve, pjesa dërmuese ishin të
afërm të të burgosurve. Në denoncimet
e tyre, ata kanë treguar
se shefi i klinikës nuk pranonte të
operonte të burgosurit pa marrë
ryshfet, kështu që ata kanë qenë
të detyruar të plotësojnë kushtet
e tij, pra të paguajnë shumën e
kërkuar. Ky skandal me të burgosurit
dyshohet se është edhe më i
madh dhe se në korrupsion janë
përfshirë edhe mjekë të tjerë.
Hetimi
Megjithatë, policia tha se nga
të gjitha denoncimet e regjistruara
deri tani, rezulton se ky ka qenë
personi i vetëm që merrte paratë
nga të afërmit e të burgosurve,
me qëllim për të kryer ndërhyrjet
e nevojshme kirurgjikale. Por, kjo
nuk ka ndodhur vetëm me të burgosurit,
por edhe me pacientë të
tjerë. Pasi grupi hetimor ka mbledhur
disa denoncime, ka nisur hetimet
e mëtejshme deri dje, kur ka
ardhur finalizimi i operacionit me
arrestimin e tij. Ndërkohë, pas kryerjes
së veprimeve hetimore dhe
procedurale, policia ushtroi edhe
kontroll në banesën e mjekut të
arrestuar. Gjatë kontrollit u mundësua
sekuestrimi në cilësinë e
provës materiale i shumave të
parave prej 545 mijë lekësh, 760
euro dhe 100 dollarë.
Pas arrestimit, oficeri i policisë
gjyqësore ka marrë në pyetje kirurgun,
i cili nuk ka pranuar akuzën e
ngritur ndaj tij. Pavarësisht se grupi
hetimor ka pasur përpara prova
të mjaftueshme implikuese për
këtë person, ai është shprehur se
asnjëherë nuk kishte kërkuar para
nga pacientët e tij, sidomos nga
të burgosurit. Ky nuk është rasti i
parë kur mjekët janë akuzuar për
korrupsion, ndër të cilët ka pasur
edhe arrestime të bujshme. Shpeshherë,
qytetarët kanë denoncuar
se mjekët kërkojnë para për çdo
shërbim në spital, por dokumentimi
i tyre ka qenë tejet i vështirë.
Rreth një vit më parë, Task-Force
ndërmori një operacion të gjerë
për identifikimin e rasteve të korrupsionit
në spitale, për të cilët ka
nisur puna për dokumentimin e
të gjitha rasteve dhe arrestimin e
personave të implikuar në afera
korruptive.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›