E Shtunë, 31 Tetor 2026

Drogë nga Shkodra për mafien italiane

Policia italiane ka identifikuar
mbi 20 persona
dhe ka shoqëruar shumë
të tjerë, të akuzuar si
pjesë e një organizate ndërkombëtare
që merrej për vite të tëra
me trafikun e drogës. Sipas policisë
italiane, banda bashkëpunonte
me organizatën mafioze
"Ndrangheta", ndërkohë që
udhëhiqej nga Saverio Magliari,
54 vjeç, i cili konsiderohet si kapoja
i klanit "Altomonte". Ky i fundit
kishte lidhur kontratë me familjen
Smajlaj nga Shkodra, për të
blerë heroinë dhe kokainë, e cila
shpërndahej më pas në Itali. Zbulimi
dhe prangosja e grupit është
bërë nëpërmjet operacionit të
koduar "Shkodër", në bashkëpunim
me policitë e Cosenzas,
Vibo Valentias, Napolit, Romës,
Peruxhias dhe Firenzes. Në këtë
grup dyshohet si e përfshirë edhe
këngëtarja shqiptare, Liljana
Kondakçi. Këngëtarja e mirënjohur
lirike e skenës së viteve ‘80,
dyshohet se është pjesë e një rrjeti
të organizuar droge. Madje asaj i
është zbardhur edhe emri i koduar.
Ajo thirrej "La mamma" (mamaja).
Emri i këngëtares rishfaqet
edhe njëherë pas 3 vitesh si e përfshirë
në trafikun e drogës. Sipas
mediave italiane dhe veçanërisht
agjencisë shtetërore italiane
ANSA, për Kondakçiun është prerë
një urdhërarrest, ndërkohë që
ajo deklaroi mbrëmë se ndodhet
në Shqipëri. Nga ana e saj, policia
e vendit tonë deklaroi po mbrëmë
se, "nuk ka asnjë informacion zyrtar
në lidhje me këtë operacion".
Operacioni
Burimet të policisë italiane
thanë për mediat se janë rreth 20
persona, për të cilët është lëshuar
një urdhër arresti në kuadër të një
operacioni hetimor të quajtur
"Shkodër". Hetimet e para kanë
treguar se këta persona sillnin
lëndët narkotike kryesisht heroinë
nga Shqipëria dhe i shpërndanin
më pas në zona të ndryshme
të Italisë. Sipas medias italiane,
operacioni ka nisur kohë më parë,
duke u mbajtur shumë persona
nën përgjim dhe vëzhgim. Sipas
policisë, rolet e të gjithë personave
ishin ndarë në këtë organizatë
kriminale, ku familja Smajli
kishte për detyrë furnizimin e organizatës
me kokainë dhe heroinë.
Nga ana tjetër, menjëherë
pas këtij operacioni, ku janë publikuar
edhe emrat e 20 personave,
janë nisur shkresat drejt Shqipërisë
për të ndihmuar në shkatërrimin
e këtij rrjeti. Megjithatë,
Drejtoria e Përgjithshme e Policisë
së Shtetit nuk ka komentuar në
lidhje me këtë operacion. Sipas
policisë shqiptare, ende nuk ka një
informacion zyrtar për arrestimin
e këtij grupi, pavarësisht se kontaktet
kanë qenë të shpeshta me
policinë italiane. Gjithashtu, edhe
për Liljana Kondakçiun, policia
nuk ka marrë ndonjë urdhër për
arrestimin e saj.
Liljana Kondakçi
Popullariteti që gëzonte dyshohet
se ka qenë mjeti më i fortë
që ka përdorur këngëtarja lirike
shqiptare Liljana Kondakçi, për të
trafikuar lëndë narkotike. Agjencia
e lajmeve ANSA bën të ditur se
Liljana Kondakçi është ndër
personat e hetuar për sa i përket operacionit
të kryer mëngjesin e së
premtes nga Guardia di Finanza.
Kondakçi është burgosur edhe
më parë në kuadrin e hetimeve të
majit të 2006-ës në stacionin hekurudhor
të Sibarit, ku sapo kishte
arritur nga Shqipëria, nëpërmjet
Barit dhe në çantën e saj u gjetën
plot 3.3 kg heroinë. Përgjimet
telefonike nga ana e policisë italiane,
të cilave u referohet agjencia
italiane e lajmeve ANSA, dëshmojnë
se Liljana Kondakçi është
e njohur mes anëtarëve të grupit
si "mamaja", ose "këngëtarja".
Këto masa janë kërkuar nga
gjykatësit e DDA të Katanzaros,
Salvatore Murone dhe Vincenco
Luberto, që janë drejtuesit e
hetimit të kryer nga Guardia di
Finanza, në bashkëpunim me
Drejtorinë Qendrore të Shërbimit
Antidrogë të Ministrisë së
Brendshme.

Këngëtarja Kondakçi: Nuk më kanë arrestuar

Menjëherë pas publikimit të emrit të saj,
Liljana Kondakçi ka reaguar nëpërmjet
mediave, se nuk është arrestuar dhe se nuk
ndodhet në hetim. Sipas saj, ajo ka mbi dy vjet e gjysmë
që nuk shkon në Itali dhe nuk ka njohje me njerëzit e arrestuar.
Më tej, këngëtarja e njohur ka deklaruar se kishte
mbetur e shtangur kur është dhënë lajmi për urdhërarrestin
ndaj saj. Kështu, ajo ka treguar se hesapet me policinë
italiane i ka mbyllur që në rastin e parë. "Në atë kohë,
u sqarua çdo gjë dhe policia italiane më kërkoi të kthehem
në Shqipëri. Që atëherë nuk kam qenë në Itali dhe i
hedh poshtë akuzat e publikuara ndaj meje se jam e përfshirë
në ndonjë trafik droge. Nuk ka asnjë përgjim dhe
asnjë fakt se unë mund të jem trafikante droge, por këto
janë keqinformime nga ana e medias italiane", është
shprehur këngëtarja lirike, Liljana Kondakçi.

Precedenti

Zyhdi Morava u kap me nëntë kg heroinë

Vetëm pak kohë më parë, "poeti i dashurisë"
Zyhdi Morava, ish- kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve,
u kap në kufirin italian me Austrinë, me 9
kilogramë kokainë. Pikërisht rreth një muaj më parë, u
publikua lajmi se shkrimtari e kishte fshehur drogën në
dyert e makinës, të cilën e transportonte me një karroatrec.
Arrestimi është kryer nga një patrullë e policisë italiane
në Brennero, disa kilometra pa mbërritur në Bolzano.
Poeti disident i kohës së komunizmit, tashmë 62 vjeç,
është siguruar në ambientet e izolimit të policisë në Bergamo.
Policia italiane nuk ka dhënë detaje rreth dëshmive
apo alibisë së Moravës, për shkak të hetimeve për të zbuluar
rrjetin e trafikut të lëndëve narkotike. Ndërsa vlera e
drogës së sekuestruar, sipas autoriteteve italiane, kapte
shumën prej 4 milionë eurosh. Shkrimtari Zyhdi Morava
dyshohet ta ketë marrë drogën në Holandë.

20 emrat e organizatës

Saverio Magliari, 54 vjeç, nga
Kozenca, i quajtur "gjyshi",
kreu i bandës
Luigi Bloise, 24 vjeç nga
Kozenca
Domenico Franze, 46 vjeç, nga
Vibo-Valentia
Liljana Kondakçi, 56 vjeçe, ose
"mamaja"
Bashkim Kubazecaj, 32 vjeç,
shqiptar
Luan Kubazecaj, 35 vjeç,
shqiptar
Nikolaos Liarakos, 32 vjeç,
grek, i quajtur Nikolas
Alberto Mesiti, 28 vjeç, shqiptar,
i quajtur Marko
Elvis Metvelaj, 24 vjeç,
shqiptar, i quajtur "majmun",
ose "nipi"
Roço Mario Napoli, 42 vjeç,
nga Kozenca
Gianluca Presta, 30 vjeç, i
quajtur "i madhi"
Rodon Rexhepi, 27 vjeç,
shqiptar
Pasquale Santagada, 56 vjeç,
nga Kozenca
Piergiorgio Siciliano, 26 vjeç,
nga Kozenca
Fisnik Smajlaj, 35 vjeç, shqiptar
Samir Ujkaj, 33 vjeç, shqiptar
Gentian Ulqini, 35 vjeç, i quajtur
Astrit
Salvatore Vitale, 22 vjeç, nga
Trebisaçe
Gentian Hamzaraj, 30 vjeç,
shqiptar
Vincenzo Cosentino, 31 vjeç,
nga Kasano-Jonio

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›