E Diel, 1 Nëntor 2026

Topi: Kriza ekonomike, duhen investime

Presidenti i Republikës, Bamir Topi, ka marrë pjesë dje në konferencën e nivelit të lartë të FAO-s, që po zhvillon punimet në Romë, me temën "Siguria ushqimore: sfidat e ndryshimit të klimës dhe bioenergjisë". Sipas zyrës së shtypit të Presidencës, bëhet e ditur se kreu i shtetit shqiptar, gjatë fjalës së tij ka theksuar ndër të tjera: "Si President i një vendi të vogël dhe relativisht të varfër, duke konsideruar me përgjegjësi të plotë paralajmërimet e bëra nga institucionet ndërkombëtare prestigjioze, se dy të tretat e popullsisë së botës mund të përballen me një inflacion me dy shifra, jam angazhuar plotësisht në përpjekjet për kooperim që duhet të bëjë Shqipëria për gjetjen e një zgjidhjeje optimale të problemit të shkaktuar kryesisht nga rritja e çmimit të naftës dhe prodhimeve ushqimore". Më tej ai ka theksuar se për të formuluar politika nxitëse për rritjen dhe prodhimtarinë e prodhimeve bujqësore, Shqipëria e konsideron të domosdoshme përfshirjen e saj në mënyrë aktive, për ta udhëhequr sektorin bujqësor drejt politikave nxitëse të prodhimit. Në Shqipëri, zhvillimi i bujqësisë po ndeshet me vështirësitë e mëdha të kapitalizmit në një sipërfaqe të vogël toke, që shoqërohet nga simptoma varfërie për shkak se ende ka sipërfaqe të tokës bujqësore që nuk punohet prej vitesh. Sipas tij, zhvillimi i sektorit bujqësor në Shqipëri ka nevojë për 150-200 milionë dollarë amerikanë në vit, nga 5-10 milionë dollarë që u është dhënë fermerëve deri tani. "Shqipëria, tha Topi, ndodhet para një sfide të vërtetë, sepse konsumatori shqiptar ka sot normën më të lartë të shpenzimeve për ushqimin e familjes".



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›