E Shtunë, 31 Tetor 2026

Arrestohet për pengmarrje një i ri nga Lazarati

Dy vëllezër nga Lazarati kanë marrë peng për motive xhelozie një bashkëmoshatarin e tyre nga lagjja periferike Gërhot e qytetit të Gjirokastrës. Mësohet se policia ka arrestuar dje njërin prej tyre. Sipas zëdhënësit të Policisë së Gjirokastrës, Gentian Mullai, arrestimi është bërë dje, ndërsa pengmarrja ndodhi katër ditë më parë. Mësohet se dje, rreth orës 10:00, nga specialistët e Seksionit Kundër Krimeve ndaj Personit në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Gjirokastër, është bërë ndalimi i shtetasit Proletar Hallaçi, 21 vjeç, lindur dhe banues në fshatin Lazarat. Zëdhënësi i policisë nënvizoi se ky shtetas ishte i shpallur në kërkim, pasi më datën 15 dhjetor 2008, rreth orës 20:30, së bashku me vëllain e tij, Abdurahman Hallaçi, kanë marrë peng për dy orë shtetasin me iniciale S.K., nga lagjja Gërhot i Gjirokastrës. Në bazë të informacioneve të marra në rrugë operative, agjentët dhe specialistët e Sektorit Kundër Krimeve të Rënda në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Gjirokastër, në bashkëpunim edhe me Komisariatin e Policisë së Gjirokastrës, bënë të mundur ndalimin e këtij shtetasi në aksin rrugor Gjirokastër-Kakavijë.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›