Shembet shtëpia, shpëtojnë për mrekulli tri familje
Një banesë 200-vjeçare, në të cilën jetonin tri familje është shembur në orët e vona të së enjtes në qendër të qytetit të Shkodrës, si pasojë e amortizimit. Për fat, dëmet janë vetëm materiale, ndërkohë që njerëzit që ndodheshin brenda kanë arritur të dalin pa u dëmtuar. Ngjarja në fjalë ka ndodhur rreth orës 23:30 kur në banesë ndodheshin të gjithë pjesëtarët e të tri familjeve. Sipas dëshmive të vetë familjarëve, shembja nuk ka qenë e menjëhershme dhe kjo u ka dhënë mundësi atyre që të dalin nga banesa pa u lënduar. Në fillim ka pasur shembje të dërrasave të tavanit dhe pas pak minutave është shembur dhe çatia. Një nga kryefamiljarët, tregon: "Ishte ora rreth 23:30, për fat ende nuk kisha rënë për të fjetur, ndërsa fëmijët po. Dëgjova një krismë në tavan dhe mendova se mos ka hyrë macja, por pas 30 sekondash ra trau i tavanit në korridor. Zgjova fëmijët dhe të gjithë familjarët e tjerë e dolëm me shpejtësi jashtë. Sapo dolëm, i gjithë pullazi qendror ra brenda. Ne tani jemi në mes të rrugës e nuk kemi se ku të shkojmë". Burri tregon se Bashkia e Shkodrës ishte lajmëruar disa herë për rrezikun e shembjes. "Edhe herë të tjera ka pasur shembje të pjesshme të çatisë, por tani kjo shtëpi është krejt e pabanueshme", thotë ai. Për pasojë, të tri familjet aktualisht janë duke qëndruar jashtë në mëshirë të fatit me shpresën se mbase bashkia do të ndërhyjë për normalizimin e situatës. Këto tri familje jetonin me qira në këtë shtëpi të vjetër, të shtetëzuar, që njihej në Shkodër si "Shtëpia e Ulqinakut". Banesa ishte ndërtuar 200 vjet më parë dhe ka qenë pronë e një tregtari të madh ulqinak. Sipas ekspertëve që bënë këqyrjen e vendit të ngjarjes, shkak i kësaj shembjeje është bërë amortizimi tepër i madh i banesës ndër vite. Ndërkohë, përjashtohet moti i keq si shkaktar i kësaj shembjeje, pasi në kohën kur ka rënë çatia, binte vetëm një shi i butë dhe nuk kishte erë të fortë.