Mungesa e sigurisë pengon zgjerimin e portit
Porti Detar i Durrësit është ende jo i sigurt për të zgjeruar përkohësisht kapacitetin përpunues të pasagjerëve në kalata të tjera, përveç terminalit të trageteve. Autoritetet portuale të Durrësit po mendojnë të përdorin edhe kalata të tjera për të përballuar fluksin e emigrantëve dhe automjeteve në këtë fundviti. Drejtori i përgjithshëm i APD-së, Eduard Ndreu, tha për gazetën se po diskutohet mes drejtuesve të portit, doganës dhe komisariatit të policisë së portit për të shfrytëzuar edhe ambiente të tjera përpunimi për tragetet e linjave detare që lidhin Durrësin me portet italiane. Ndreu thotë se vendimi do të jetë mes këtyre institucioneve dhe nuk ka lidhje me ICITAP, misionin amerikan që ofron asistencë për çështjet e sigurisë në portin më të madh të vendit. "ICITAP është konsulent për çështjet e sigurisë dhe jo vendimmarrës për to. Na mbetet ne që të vendosim me marrëveshje". Ndërkaq, në port, ditët e fundit ka nisur të ndihet një rritje e numrit të atyre që mbërrijnë në vend për të kaluar festat e fundivitit pranë familjeve. Drejtoria Rajonale e Kufirit dhe Migracionit bën të ditur se dy ditët e fundit numri i të mbërriturve në Portin e Durrësit me tragete i ka kaluar 3200 personat. Shumica e tyre janë emigrantë shqiptarë dhe një pjesë shtetas të huaj. Këtë fundjavë pritet një rritje e ndjeshme në numrin e pasagjerëve dhe agjencitë e lundrimeve kanë deklaruar se do të shtojnë numrin e trageteve dhe të prekjeve. Ndreu deklaron se është menduar që kamionët të zhvendosen për përpunim në sheshin e ri dhe të përdoret një kalatë tjetër për nevojat e akostimit të trageteve. Megjithatë, vendimi nuk është marrë ende, pasi vihet në diskutim siguria në këto kalata të reja. Burime nga policia e portit thonë se amerikanët janë shprehur negativisht për këtë zgjidhje, ndonëse fjalën e fundit do e thonë organet që veprojnë në port dhe janë vendimmarrëse.