Përplasen makinat, vdes një fëmijë dhe një grua
Një aksident i rëndë automobilistik ka ndodhur dje në mbrëmje në aksin rrugor Koplik-Hani i Hotit. Një fëmijë dhe një grua kanë gjetur vdekjen, ndërsa katër persona të tjerë janë plagosur, kur dy vetura që udhëtonin në drejtime të kundërta janë përplasur me njëra-tjetrën. Burime nga Komisariati i Policisë i Malësisë së Madhe bënë me dije se në aksident ka gjetur vdekjen e menjëhershme fëmija 7 vjeç, Elsar Bajrakurti, dhe gruaja 60 vjeçe, Mrie Sherbi. Njoftohet për katër persona të plagosur rëndë, tre prej të cilëve janë anëtarë të familjes Bajrakurti. Aksidenti ndodhi në afërsi të Bajzës, rreth pesë kilometra larg doganës së Hanit të Hotit. Policia tha se të gjithë personat e përfshirë në aksident janë banorë të Malësisë së Madhe. Nga hetimet paraprake rezultoi se shkak i përplasjes së dy veturave tip "Mercedes Benz" me targa të Malësisë së Madhe, ishte shpejtësia e madhe, si dhe mungesa e ndriçimit rrugor dhe lagështia e rrugës. Ndërkohë, Policia e Shkodrës njoftoi dje se një shtetas malazez është gjetur i vdekur në makinën e tij. Nezir Milla, 62 vjeç, banor i Tivarit (Bar), sipas policisë ka vdekur nga një atak zemre.