E Shtunë, 31 Tetor 2026

Reshjet, emergjencë në Skrapar e Fier

Qyteti i Çorovodës ka mbetur pa ujë të pijshëm, pasi prurjet e shumta të lumit të Skraparit kanë shkatërruar një pjesë të tubacionit të ujësjellësit. Në Fier, strukturat e emergjencave civile janë në gatishmëri, pasi niveli i lumit Vjosë është në pikë kritike, duke rrezikuar përmbytje të disa fshatrave.

Çorovoda pa ujë

Reshjet e dendura të shiut të rëna gjatë gjithë natës së të enjtes në rrethin e Skraparit kanë shkaktuar dëme dhe kanë rrezikuar përmbytjen e pjesës së ulët të qytetit të Çorovodës. Shtabi i emergjencës i ngritur pranë pushtetit vendor mësohet se ka nisur menjëherë nga puna për të verifikuar dëmet e shkaktuara nga vërshimi i lumit të Skraparit. Kështu, nga verifikimet e kryera mësohet se si pasojë e reshjeve të shiut është dëmtuar tubacioni i ujit të pijshëm. I gjithë qyteti me 6500 banorë nuk kanë ujë të pijshëm në çezma. Nënkryetari i bashkisë, Altin Lamçe, bëri të ditur se tubacioni i ujit të pijshëm kalon në shtratin e lumit dhe si pasojë e prurjeve të shumta të lumit është dëmtuar një pjesë e madhe e tij. Rreth 35 metra linearë tubacion mësohet të jetë dëmtuar krejtësisht. Kjo ka bërë që banorët të mos kenë ujë të pijshëm. Në këto kushte, pushtetarët vendorë kanë dhënë menjëherë urdhër për mbylljen e kopshteve e çerdheve, deri në zgjidhjen e këtij problemi. Sipas burimeve nga Bashkia e Çorovodës, ky urdhër është dhënë për të shmangur çdo problem që mund të lindë nga mungesa e ujit të pijshëm në këto institucione të rëndësishme. Po kështu janë marrë masa dhe në orët e para të ditës së djeshme janë furnizuar me ujë të pijshëm nëpërmjet autoboteve, spitali i qytetit dhe furrat e bukës. Prefekti i Qarkut të Beratit, Thoma Rumniçi, së bashku me një grup specialistësh të Ndërmarrjes së Ujësjellës-Kanalizimeve kanë qenë në qytetin e Çorovodës, ku pasi kanë parë gjendjen kanë konkluduar se zgjidhja afatshkurtër për problemin e Ujësjellësit është rivendosja e pjesës së dëmtuar të tubacionit, e cila do të mundësojë furnizimin e banorëve me ujë për një periudhë të shkurtër, deri në zgjidhjen e plotë të problemit me anë të një investimi për ujësjellësin e qytetit. Ky investim do të kërkohet pas paraqitjes së një projekti të ri. Ndërkohë, reshjet e shumta kanë rrezikuar dhe disa banesa në zonën e ulët të qytetit dhe urën që lidh pjesën lindore me atë perëndimore të qytetit.

Vjosa vazhdon të kërcënojë

Lumi Vjosë me prurjet e shumta prej dy ditësh po rrezikon të përmbytë të gjithë fshatrat që ndodhen përgjatë rrjedhës së tij.

Gjatë gjithë natës së të enjtes, prurjet e lumit Vjosë kanë qenë në pikën kritike, por lumi nuk ka dalë nga shtrati. Momentalisht, panelet mbrojtëse janë të mbuluara nga uji, që gjatë gjithë ditës së premte nuk kanë pësuar rënie të nivelit. Sipas kreut të bordit të kullimit në Fier, Ramadan Krasniqi, pak më shumë se 40 centimetër ndajnë përmbytjen. "Kemi qëndruar dhe po qëndrojmë në gatishmëri dhe raportojmë kohë pas kohe prurjet e Vjosës. Me gjithë masat e marra, rreziku është real. Jemi në varësi të shirave në jug të vendit dhe në veri të Greqisë", tha Krasniqi. Situata është vëzhguar gjatë gjithë kohës edhe nga Shtabi i Emergjencave Civile të Prefekturës, që ka qenë në gatishmëri të plotë të gjitha njësitë e shpëtimit dhe të emergjencave. Të premten, në terren duke ndjekur nga afër gjendjen, kanë qenë prefekti Shahin Bejdaj, përfaqësues të këshillit të qarkut, kryetarët e komunave Levan e Frakull, efektivët e Repartit të Ndërhyrjes së Shpejtë të Policisë dhe ata të repartit zjarrfikës. Gatishmëria është e plotë dhe i paraprin përballimit të çdo situate për minimizimin e dëmeve, si nga institucionet e ndryshme ashtu dhe nga vetë banorët, të cilët kanë kaluar një natë të pagjumë, me frikën e përmbytjes. "Kemi qëndruar gjithë natën pa gjumë duke vëzhguar nivelin e lumit", thotë Sako Kanani, banor i fshatit Ferras. Përvoja e hidhur e tre viteve të shkuara, kur Vjosa përmbyti këtë fshat i ka bërë këta banorë të marrin masat për çdo lloj situate. "Kemi përgatitur gjithçka dhe në varësi të prurjeve të lumit, jemi gati për evakuim", thotë Vangjel Dema. Edhe krerët e komunave thonë se kanë marrë masat që situata e vitit 2005 të mos përsëritet. Ndërkohë, drejtori i Ndërmarrjes së Ujësjellës-Kanalizimeve, Agim Plepi, garanton qytetarët se gjendja e pompave dhe puseve që furnizojnë me uji qytetin e Fierit, si dhe disa fshatra në periferi të tij, është normale.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›