E Shtunë, 31 Tetor 2026

“S’ka para për dokumentarët, si reportazhe televizivë”

 

ANILA MEMA

Jo më lekë taksapaguesish shqiptar, për reportazhe televizivë. Këshilli Miratues i Projekteve të Filmit në Qendrën Kombëtare Kinematografike, ka marrë një vendim drastik për filmat dokumentarë. Ndryshe projekte të tilla, nuk do të pranohen asnjëherë dhe vendimet për miratimin e tyre do të zgjasin pafund, sikurse edhe ndodhi këtë vit. Tre ditë më parë, ky këshill për gjininë e dokumentarit, i kryesuar nga Moikom Zeqo, miratoi pesë projekte nga 11 që kishin konkurruar. Gjashtë muaj më parë, një listë e gjatë projektesh të tillë është kthyer mbrapsht nga i njëjti këshill, për mosplotësim kriteresh. Kjo është hera e dytë që konkurrojnë projekte dokumentarësh, ndër të cilët janë përzgjedhur pesë filma me tematika të ndryshme. Sipas Zeqos, këtë radhë cilësia e dokumentarëve ishte më e mirë se ajo e radhës së kaluar. “Ne kemi shmangur defektin më të madh që ishte reportazhi televiziv. Shumë nga projektet e paraqitura kishin karakterin e dokumentarëve të tillë, por ne jemi përqendruar më shumë në substancën e dokumentarit. Ndaj edhe projektet e mëparshme janë kthyer mbrapsht dhe si kusht ne nuk kemi lejuar të aplikojnë për herë të dytë në QKK”, tregon Zeqo, sipas të cilit, larmishmëria e tematikave ka qenë një nga preferencat më të mëdha të anëtarëve të këtij këshilli, i cili përbëhet nga pesë vetë. Janë pesë projekte që trajtojnë problemin e Çamërisë, që do të realizohet nga regjisori Kujtim Gjonaj ose dokumentari “Midis dy dasmave”, që flet për një luftëtar nga Kavaja që ndiqte luftën e Kosovës në ‘99 ose për “Kodiku i Beratit”, apo portreti i regjisorit të njohur Viktor Gjika. “Ka qenë një punë e gjatë që zgjati me muaj për seleksionimin e tyre, dhe mendoj së kësaj here këta dokumentarë do të jenë të realizuar. Ne nuk aprovuam herën e kaluar asnjë projekt, të cilët nuk konkurruan më, pasi e vumë si kusht kryesor, dhe kjo bëri seleksionimin e shumë skenarëve që ishin bërë modë që gjoja rregulloheshin dhe riparaqiteshin përsëri”, shton kryetari i këshillit miratues sipas të cilit, një tjetër kërkesë ka qenë edhe dokumentacioni i plotë dhe si kasetë me të gjithë zërat, paraqitur nga shtëpitë kinematografike. Ndërkohë veç këtyre projekteve sipas Moikom Zeqos, është marrë vendimi që tre projekte që i përkasin regjisorit Kujtim Gjonaj një film me titull “Bukuri e flijuar”, “Gra në dritare” një skenar i shkruar nga Irvin Muçaj, i cili do të bëjë edhe regjinë, si dhe “Të barabartë, por ndryshe në art”, i regjisorit Ylli Pepo të ripunohen dhe të depozitohen në QKK, për t’u marrë më pas në shqyrtim nga këshilli miratues. “Në të kundërt projekti konsiderohet i skualifikuar”, thuhet në vendim e miratuar nga Moikom Zeqo, Petro Lati, Donika Muçi, Namik Ajazi dhe Gavrosh Haxhihyseni.

Filmat fitues

“Ëndrra e Çamërisë”, skenari Enver Kushi, regjisor Kujtim Gjonaj. vlera 1 630 000 lekë. “Beratinus” skenari Shaban Sinani, Tomë Therçaj, regjisor Ylli Pepo, vlera 1 560 000 lekë “Viktor Gjika, poet i ekranit”, skenari dhe regjia Petrit Ruka, vlera 1 510 000 lekë “Imazhi i njeriut” skenari dhe regjia Armando Lulaj. Vlera 1 465 000 lekë “Midis dy dasmave”, skenari dhe regjia Esat Teliti. Vlera 1 425 000 lekë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›