Arrestohet përdhunuesi i vitit 89, i arratisur që në 97-n
DURRËS - I arratisur që në vitin 1997 nga burgu, pasi ishte dënuar me 25 vite burg, bie në prangat e policisë. Ndalimi i Shaban Haxhit është bërë ditën e djeshme në Portin e Durrësit. Burime zyrtare nga Policia e qytetit bregdetar kanë bërë të ditur se “rreth orës 10:45, shërbimet e Policisë Kufitare të Komisariatit të Policisë së Portit Durrës, gjatë regjistrimit të personave kanë identifikuar dhe ndaluar personin në kërkim Shaban Haxhi, 60 vjeç, lindur e banues në Lagjen Nr. 15, me kombësi e shtetësi shqiptare, me arsim 7 klasë, i martuar, me 3 fëmijë, i dënuar dy herë për veprën penale të marrëdhënieve seksuale me dhunë”. Prangosja e tij është bërë pasi 60-vjeçari ishte i shpallur në kërkim nga uniformat blu të qytetit bregdetar, pasi në muajin mars të vitit 1997 është arratisur nga burgu ku vuante dënimin prej 25 vitesh, të vendosur nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Durrës në vendimin penal të datës 20 tetor 1989 për veprën penale të “marrëdhënieve seksuale me dhunë” dhe “pasoja të rënda me të mitur”. Pas vënies në pranga të tij, policia ka kryer veprimet e nevojshme procedurale. Me të përfunduar procedurat, i arrestuari në fjalë u është dorëzuar shërbimeve të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve me qëllim vuajtjen e dënimit të mbetur.
Kapet me kapsollë shpërthyese, vihet në pranga
ELBASAN - Një kontroll rutinë i policisë ka zbuluar 10 kapsolla në xhepin e personit nga fshati Lisnaj, Peqin. Burimet zyrtare nga Policia e Elbasanit kanë bërë të ditur se në orën 23:00 të dy ditëve më parë është bërë i mundur arrestimi në flagrancë i shtetasit Mersin Lika, 56 vjeç, lindur e banues në fshatin Lisnaj, komuna Përparim, Peqin. Arrestimi i tij është bërë pasi gjatë një kontrolli rutinë që i bëri patrulla e përgjithshme e policisë këtij personi, i janë gjetur në xhepin e xhaketës së tij 10 (dhjetë) copë kapsolla detonatorë, të cilat ai i mbante pa leje. Nga ana e policisë është bërë sekuestrimi në cilësinë e provës materiale të kapsollave detonatore. Dosja me materialet i ka kaluar Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Elbasan për veprime të mëtejshme për veprën penale “mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe të municionit pa lejen e organeve kompetente”.
15 Maj 2010