Ministri i Jashtëm bullgar: “Dialogu të zhvillohet në Parlament”
“Kriza politike zgjidhet nëpërmjet dialogut në Parlament, dhe jo në rrugë”, - është shprehur dje gjatë një konference të përbashkët për shtyp me ministrin e Punëve të Jashtme Ilir Meta, homologu i tij bullgar, që po zhvillon një vizitë zyrtare në Shqipëri, Nikolai Mladenov. Duke iu referuar situatës aktuale politike në Shqipëri, grevës së opozitës, ai tha se brenda pak javësh duhet të vijë zgjidhja e krizës nëpërmjet transparencës, Kushtetutës dhe legjislacionit në fuqi. “U bëjmë thirrje liderëve dhe forcave politike shqiptare në Parlament që të gjejnë një zgjidhje për situatën e tanishme. Një zgjidhje kjo e cila të jetë në përputhje si me transparencën, ashtu dhe me Kushtetutën dhe legjislacionin shqiptar. Po ashtu, në përputhje dhe me angazhimet që ka marrë Shqipëria në kuadrin e Këshillit të Europës. Dhe unë shpresoj që në javët e ardhshme ky dialog mes qeverisë dhe opozitës do të mundësohet”, - është shprehur Nikolai Mladenov, ministër i Jashtëm i Bullgarisë.
Ndërsa ministri shqiptar i Punëve të Jashtme, Ilir Meta, tha se opozita e ka të qartë faktin se ka hapësira të mjaftueshme ligjore që të bëhet transparenca e zgjedhjeve në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet e vendit. “E kam bërë të qartë që ka një hapësirë të mjaftueshme midis transparencës dhe Kushtetutës për t’u dhënë një përgjigje pozitive kërkesave. Kam shprehur keqardhje për grevën e urisë dhe njëkohësisht mendimi që nuk është ky një instrument për ta zgjidhur këtë çështje. Aq më tepër thirrjet, të cilat sfidojnë Kushtetutën dhe ligjet e vendit”, - është shprehur Meta.
Gjatë qëndrimit të tij në Tiranë, ministri i Jashtëm bullgar është takuar me presidentin Bamir Topi dhe me kryetaren e Kuvendit, Jozefina Topalli, ku janë vlerësuar marrëdhëniet shumë të mira që ekzistojnë midis dy vendeve tona.
Komiteti i Helsinkit: Nuk shkelet Kushtetuta po të hapen kutitë
Komiteti Shqiptar i Helsinkit, në përfundim të mbledhjes së Asamblesë së Komitetit, ka dalë me një deklaratë në të cilën bëhet e ditur se hapja e kutive të votimit nuk shkel as Kushtetutën dhe as vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Ekspertët ligjorë të Komitetit Shqiptar të Helsinkit argumentojnë se Kushtetuta dhe vendimi i Gjykatës Kushtetuese do të cenoheshin nëse në objektin e hetimit të komisionit hetimor parlamentar do të parashikohej shqyrtimi dhe vlerësimi i bazueshmërisë ligjore të vendimeve të KQZ-së dhe të Kolegjit Zgjedhor të Gjykatës së Apelit. Sipas Komitetit Shqiptar të Helsinkit, pengesë për dialogun dhe zgjidhjen e çështjes është mungesa e vullnetit politik, ndërsa shpreh sigurinë se transparenca e zgjedhjeve do t’i shërbente çtensionimit të situatës, funksionimit normal të Parlamentit dhe përpjekjeve te përbashkëta drejt integrimit europian. “KSHH konstaton se për të gjithë është e qartë se sipas nenit 77 të Kushtetutës, ngritja e komisionit hetimor është e detyrueshme, kur kjo kërkohet nga ¼ e të gjithë deputetëve dhe shpreh keqardhjen që kundërshtitë lidhur me objektin e këtij hetimi nuk mundësuan ngritjen e tij. KSHH mendon se Kushtetuta dhe vendimet e Gjykatës Kushtetuese, nuk pengojnë komisionin hetimor që të këqyrë dhe të shqyrtojë dokumentacionin zgjedhor, përfshirë këtu edhe fletët e votimit. Ne mendojmë gjithashtu se veprimi i mësipërm nuk cenon ndonjë parim kushtetues siç mund të ishte p.sh. ndarja dhe balancimi i pushteteve, pavarësia e Gjyqësorit etj. Ato do të cenoheshin nëse në objektin e hetimit do të parashikohej shqyrtimi dhe vlerësimi i bazueshmërisë ligjore të vendimeve të KQZ-së dhe të Kolegjit Zgjedhor të Gjykatës së Apelit. KSHH mendon se pengesë për dialogun dhe zgjidhjen e çështjes është mungesa e vullnetit politik”, - shkruhet në deklaratën e bërë publike për mediat nga Komiteti Shqiptar i Helsinkit.
Më tej theksohet se transparenca e zgjedhjeve është në përputhje edhe me nenin 23 të Kushtetutës që garanton të drejtën e informimit si dhe me ligjin “Për të drejtën e informimit për dokumentet zyrtare”, është e detyrueshme në një moment të tillë krize politike. “KSHH është i bindur se ekzistojnë mundësitë për dialog. Në një vend demokratik, siç jemi ne, kundërshtarët politikë nuk janë armiq. Në këtë vështrim do të duhet t’i jepet fund gjuhës së urrejtjes dhe akuzave të ndërsjella. KSHH mendon gjithashtu se për arritjen e dialogut është i domosdoshëm predispozicioni i të dyja palëve, por do të ishte e rekomandueshme që në këtë drejtim nisma të merrej nga maxhoranca qeverisëse”, - shkruhet në deklaratë.
15 Maj 2010