E Shtunë, 31 Tetor 2026

Protesta e opozitës, Tirana, 24 orë e “blinduar” nga policia

Uniformat blu, të shtuara dukshëm, mbikëqyrën të gjithë territorin e kryeqytetit

Artan CENA
TIRANË - Tirana u blindua gjatë ditës së djeshme nga forca të shumta policie për shkak të protestës që u organizua nga Partia Socialiste në orën 18:00. Edhe pse zgjati deri rreth orës 20:20, tubimi u zhvillua pa incidente, përjashtuar disa thirrjeve kundër policisë, por që janë neutralizuar nga folësit në podium, të cilët bënë thirrje për qetësi dhe jo për dhunë. Burime të rezervuara nga Policia e Shtetit thanë dje për “Albania”-n se numri i forcave të angazhuara gjatë ditës ka qenë mbi 2000. Përveç efektivëve të Policisë së Tiranës, forca të shuma kanë ardhur dhe nga rrethet, si nga Elbasani, Durrësi, Fieri, Shkodra, Kruja dhe më gjerë. Vetëm efektivë të policisë së kryeqytetit kanë qenë të angazhuar rreth 1300. Të pranishëm në protestë duke e vëzhguar nga larg kanë qenë dhe politikanë të ndryshëm. Ministri i Brendshëm, Lulzim Basha, është parë në tarracën e Kryeministrisë, ku ka monitoruar të gjithë ecurinë e situatës.
Masat
Që në orët e para të mëngjesit, agjentët e Policisë së Tiranës dhe strukturat e tjera mbështetëse janë vendosur në terren për të menaxhuar situatën dhe parandalimin incidenteve të mundshme. Ndryshimi i gjendjes së gatishmërisë së strukturave të Policisë erdhi për shkak të protestës së paralajmëruar të PS-së, ku flitej se mund të kishte trazira. Vetëm një ditë para tubimit, Ministria e Brendshme tha se kishte siguruar prova se persona të ndryshëm, me precedentë penalë, u janë bashkuar protestave të opozitës. Burime të Policisë së Tiranës bënë të ditur gjatë ditës së djeshme se nuk do të lejonin asnjë shfaqje të dhunshme që do të cenonte rendin dhe sigurinë publike. Forcat e shumta të policisë kanë qenë të pranishme në të gjitha akset e kryeqytetit dhe ishin dukshëm të shtuar në numër. Ato ishin të pranishme jo vetëm në pikat hyrëse të kryeqytetit, por në të gjitha rrugët kryesore që të çojnë në bulevardin "Dëshmoret e Kombit", aty ku u zhvillua protesta e paralajmëruar e socialistëve.
Shoqërimi
Masat e policisë kanë filluar që në vendet ku do të grumbulloheshin protestuesit, në pika të ndryshme të kryeqytetit. Grupet e protestuesve janë shoqëruar me qindra forca policore të veshura me veshje civile dhe që mbanin vetëm një jelek ngjyrë limoni me mbishkrimin “Policia”. Protestuesit kanë bllokuar rrugët kryesore të kryeqytetit duke bllokuar dhe qarkullimin e makinave. Për këtë problem, nga policia ishin marrë masa që të devijohej qarkullimi, për të shmangur mbërritjen e tyre në qendër, ku u mblodhën mbështetësit e opozitës. Rruga e Durrësit ishte e bllokuar e gjitha dhe devijimi i makinave është bërë në unazë dhe rrugë dytësore. Edhe bulevardi “Zogu i Parë” u bllokua, edhe Rruga e Kavajës. Ndërkohë, përqendrimi më i madh i uniformave blu ka qenë në krah të institucioneve kryesore, si Kryeministria dhe Kuvendi i Shqipërisë. Aty ka pasur disa kordonë policorë. Ndërkohë që në çatitë e ndërtesave të larta ka pasur një numër të madh efektivësh të Policisë dhe Gardës që kanë mbikëqyrur protestuesit duke i vëzhguar dhe filmuar me kamera që, sipas policisë, është një e drejtë e lejuar nga ligji.

15 Maj 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›