Arrestohet, plagosi me thikë dy vëllezër
Një person ka përfunduar në prangat e policisë, pasi dyshohet për plagosjen e dy vëllezërve gjatë një sherri të momentit. Burimet policore të kryeqytetit bënë të ditur se nga shërbimet e Komisariatit Nr. 2 u krye arrestimi në flagrancë i shtetasit Jetnis Skënder Dollapi, 33 vjeç, banues në Tiranë. Arrestimi i tij u krye pasi dy ditë më parë, rreth orës 13.30, në rrugën "Frosina Plaku", pas një konflikti të ndodhur midis vëllezërve Euglend dhe Julindo Meço, respektivisht 26 dhe 22 vjeç, autori i dyshuar ka qëlluar disa herë me thikë në trup të dy vëllezërit. Sipas policisë, mes tyre ka pasur një konflikt të çastit dhe dy vëllezërit e kishin goditur me grushte dhe shqelma Dollapin. Të plagosurit u dërguan menjëherë në Spitalin Ushtarak Tiranë dhe ndodhen jashtë rrezikut për jetën. Në cilësinë e provës materiale u sekuestrua arma e ftohtë, e llojit thikë dhe do të dërgohet në laborator për ekzaminim të mëtejshëm. Materialet do t‘i kalojnë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprën penale të "plagosjes së rëndë me dashje", parashikuar nga neni 88/2 i Kodit Penal, në ngarkim të shtetasit Jetnis Dollapi dhe veprës penale të "dëmtimeve të tjera me dashje", në ngarkim të shtetasve Euglend dhe Junildo Meço. Dy vëllezërit do të procedohen penalisht në gjendje të lirë.
Ble. Gi.
Ble. Gi.