Basha, në pritjen e parë si ministër i Brendshëm
Ministri i Brendshëm, Lulzim Basha, priti dje në një takim ministrin e Administratës Publike të Kosovës, Arsim Bajrami, ku u vlerësua stadi i tanishëm i bashkëpunimit mes Shqipërisë dhe Kosovës në fushën e shkëmbimit të përvojave për mirëfunksionimin dhe fuqizimin e administratës publike në të dyja vendet. Ministri Basha theksoi nevojën e shtrirjes së këtij bashkëpunimi në të gjitha nivelet, me qëllim përfitimin e përvojave të dyanshme. Një vëmendje të veçantë, ministri Basha u kushtoi reformave të qeverisë shqiptare për një qeverisje të vogël, moderne, të përballueshme për taksapaguesit shqiptarë, çka sjell uljen e shpenzimeve dhe kostove të panevojshme, përmirësimin e shërbimeve për qytetarët dhe në mënyrë të veçantë rritjen e transparencës ndaj publikut. Ministri i Brendshëm, Lulzim Basha, rikonfirmoi në takim si një prioritet të rëndësishëm të qeverisë "Berisha", njehsimin e standardeve dhe praktikave mes Shqipërisë e Kosovës që do t‘i shërbejnë eliminimit të barrierave mes tyre, si edhe integrimit në Bashkimin Europian. Ndërsa ministri Bajrami përgëzoi fillimisht Bashën për marrjen e detyrës së re. Duke sjellë në vëmendje dhe vlerësuar kontributin e tij në detyrat e mëparshme për procesin e pavarësimit dhe njohjes së Republikës së Kosovës, Bajrami shprehu bindjen se bashkëpunimi në vijim mes Ministrisë së Brendshme të Shqipërisë dhe institucioneve e qeverisë së Kosovës do të njohë nivele edhe më të larta.