E Diel, 1 Nëntor 2026

Gjashtë operacionet për goditjen e grupit të Beqirit

Dhjetë persona janë arrestuar në operacionin e fundit më datë 03.10.2006. Po ashtu, në atë operacion është sekuestruar një sasi prej 93 kg e 224 gramë marijuanë. Fillimisht është mundësuar arrestimi i Blerim Shehajt, 25 vjeç, banues në Vlorë, të cilit iu gjet droga. Operacioni më pas vazhdoi me ekzekutimet e urdhrave të ndalimit, lëshuar nga Prokuroria për Krime të Rënda për Edmond Beqirin, vëllai i Alfredit, Bernard Alinë, Frederik Alinë, Mustafa Zahajn, Arben Maskajn, Genci Arapin, Spartak Myslimin, Admir Hoxhën dhe Kujtim Drazhin.
Pikërisht me datë 13.07.2006, në vendin e quajtur Jonufër në Vlorë është bërë e mundur të kapet në flagrancë një 17-vjeçar, që iu sekuestruan me cilësinë e provës materiale 2 çanta, të cilat kishin brenda një sasi prej 12 kg marijuanë.
Me datë 29 korrik 2006 u arrestuan në flagrancë Alket Muçaj dhe Roland Kapxhiu, pasi u kapën në flagrancë në territorin që ndodhet midis gjirit të "Bristanit" dhe atij të "Anglezit" në gadishullin e Karaburunit, në kohën që po ruanin ngarkesën prej 580 kg e 800 gramë marijuanë të presuar.
Me datë 23.08.2006, në Portin e Durrësit, gjatë kontrollit që iu ushtrua në momentin e largimit në Itali me traget italianit Michele Guarino, iu gjetën në çantë dy shishe plastike shampo "Dove" të mbushura me heroinë, ndërsa gjatë kontrollit në trup iu gjet një sasi tjetër heroine, e mbështjellë në formë tubi me qese plastmasi. Pesha e gjithë sasisë rezultoi 506 gramë.
Me datë 11.09.2006, në plazhin e Levanit u kap dhe u sekuestrua një gomone rreth 3.5 m e gjatë. Në afërsi të gomones u gjetën dhe u sekuestruan 89 pako të mbështjella me natriban, brenda të cilave kishte marijuanë me një peshë totale 93.780 kg.
Me datë 18.09.2006 u arrestuan Selam Binaj dhe Hysen Mehmeti, pasi u kapën në qafën e Karoveshit me furgonin tip "Benz" VL 0515 A, duke transportuar 60 kg marijuanë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›