Ushqimet e pakontrolluara rrezikojnë nxënësit
Shitja e ushqimeve pranë shkollave mbetet gjithmonë e më tepër shqetësim për strukturat shëndetësore në Vlorë. Në shumë prej shkollave ushqimet e shpejta që u shërbehen nxënësve në kioska nuk janë të kontrolluara dhe kjo ka bërë që të ndërmerren kontrolle të herëpashershme. Nga më shqetësueset është gjendja pranë shkollës 9-vjeçare "Ibrahim Kushta". Struktura të shëndetësorit në Vlorë kanë bërë dje prezent shqetësimin për sigurinë e ushqimeve që u serviren nxënësve të shkollës nëntëvjeçare, ku dy vjet më parë një vajzë e vogël gjeti vdekjen nga helmimi. Drejtoresha e Drejtorisë së Shëndetit Publik, Brunilda Ndreu, tha se ka kërkuar për këtë ndihmën e strukturave të bashkisë, por kjo nuk ka pasur efekt. Policia bashkiake nuk është në funksion të këtij bashkëpunimi, duke bërë që fëmijët e shkollës të jenë të kërcënuar nga ky fenomen. Edhe drejtori i shkollës, "Ibrahim Kushta", ka ndarë të njëjtin shqetësim. Fëmijët çdo ditë konsumojnë ushqime që janë të pakontrolluara, ndërkohë pak ditë më parë, në një njësi të tillë janë gjetur mostra sallami të prishur. Pas këtij konstatimi, autoritetet e shëndetësisë kanë nxjerrë një urdhër për pezullimin e aktivitetit të të gjitha kioskave që ndodhen pranë shkolis, por deri tani urdhri ka mbetur i pazbatuar.