E Diel, 1 Nëntor 2026

Mbrojtja e të dhënave personale, nis fushata në Jug

Shqipëria bëhet me institucionin e mbrojtjes së të dhënave personale dhe të privatësisë. Prej më shumë se një viti, vendi ynë ka edhe ligjin përkatës dhe ka nisur nga veprimtaria edhe autoriteti shqiptar për mbrojtjen e të dhënave personale. Prezantimi i fushës së veprimit të këtij institucioni të ri në mbrojtje të interesave të qytetarëve nga shkeljet e të drejtave të të dhënave të tyre, është bërë gjatë dy ditëve të fundit në qytetet e Gjirokastrës dhe Sarandës. Pjesëmarrës në këto prezantime kanë qenë përfaqësues të institucioneve shtetërore dhe private. Në Sarandë, të pranishëm ishin përfaqësues të Bashkisë së Sarandës dhe Delvinës, të komisariateve të policisë së rendit, drejtues të disa operatorëve bankarë që veprojnë në rajonin më jugor të vendit, zyra e punës dhe e sigurimeve shoqërore, zyra arsimore dhe përfaqësues të medias. Me ta është zhvilluar takimi që ka shënuar vetëm fillimin e fushatës ndërgjegjësuese. Komisionerja Flora Çabej tha se ky është një institucion në mbrojtje të lirisë dhe të drejtave të qytetarëve nga rreziqet që vijnë prej përdorimit të teknologjisë moderne të informacionit. Kjo, pasi sipas saj, po bëhen gjithnjë e më shumë njerëz në përdorimin e celularëve, kartave të bankomatëve, internetit, "Facebook"-ut, si edhe kartave të identitetit e pasaportave biometrike. Ajo tha se ngritja e këtij institucioni që ajo kryeson në Shqipëri u diktua nga nevoja e mbrojtjes së qytetarit dhe që buron nga nënshkrimi i MSA-së.

Th.Nika

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›