E Diel, 1 Nëntor 2026

Skandal në polici, lirohet kreu i një rrjeti narkotrafikantësh

Skandal në Policinë e Vlorës. Mungesa e informacionit ka bërë që të lihet i lirë një i kërkuar për trafik droge, i cili kishte shkuar me këmbët e tij në polici. Alfred Beqiri ishte sjellë "dhuratë" nga Italia, pasi ishte deportuar për mungesë dokumentesh, por në Shqipëri rezultonte person në kërkim nga Prokuroria për Krimet e Rënda. Policia e Vlorës ka pyetur për këtë person në qendër, te Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit, por është deklaruar se ai nuk ishte në kërkim. Vetëm disa orë pas lirimit të tij ka mbërritur shkresa, ku është deklaruar se ai dyshohet se është kreu i një grupi kriminal, i goditur që në vitin 2006, të cilëve u është dokumentuar deri tani trafikimi i të paktën një ton droge. Alarmi për lirimin e pakujdesshëm ka mbërritur deri në Ministrinë e Brendshme, ndërkohë që ka nisur kërkimi për gjetjen dhe arrestimin e tij. Ndërkaq, Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm dhe një grup i policisë kanë nisur hetimet për këtë çështje të rëndë.
Dy ditë më parë, pikërisht në orën 08.00 të mëngjesit, është deportuar nga Italia Alfred Alush Beqiri, 30 vjeç, lindur e banues në Domje të Tiranës. Kthimi i tij në Shqipëri është bërë për arsye se ka rezultuar pa qëndrim të rregullt në shtetin fqinj dhe është hipur në një traget, që destinacionin e kishte në Portin e Vlorës. Kur ka mbërritur aty, efektivët e policisë rajonale të kufirit e kanë shoqëruar atë në komisariat, ku janë kryer procedurat e zakonshme. Gjithashtu, emri i tij ka rezultuar i dyshimtë dhe që ishte person në kërkim nga Tirana. Kur është parë dosja e këtij personi është konfirmuar se ai kërkohej nga Komisariati Nr. 5, i cili mbulon territorin ku ka lindur dhe jeton. Menjëherë shërbimet e policisë kufitare kanë kërkuar informacion në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë për këtë person dhe përmes tyre janë lidhur edhe me Komisariatin Nr. 5. Por, nga informacioni i kërkuar, policisë së kufirit në Vlorë i është kthyer përgjigje se nuk është person në kërkim nga Komisariati Nr. 5. Në këto kushte, rreth orës 10.30, Alfred Beqiri është lënë sërish i lirë. Por, qetësia për policinë rajonale të kufirit ka zgjatur deri në orët e pasdites. Pikërisht rreth orës 17.00 të datës 24 shtator, ditën kur u deportua Beqiri, është bërë verifikimi i emrit të tij në sistemin TIMS. Gjatë verifikimit ka rezultuar se Alfred Alush Beqiri është person i shpallur në kërkim, sepse Gjykata e Shkallës së Parë për Krimet e Rënda në Tiranë, me vendim nr. 131, datë 23 qershor 2007, ka caktuar masën e sigurisë "arrest në burg" për trafik të lëndëve narkotike. Menjëherë, policia e ka shpallur sërish në kërkim dhe po punohet për kapjen e tij, ndërkohë që veprimet do të kryhen nga Drejtoria e Policisë së Tiranës.
Kjo ka sjellë alarmin në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, por edhe në Ministrinë e Brendshme. Menjëherë ka nisur hetimi për gjetjen e fajtorit, në këtë rast të rëndë, si nga ana e policisë, ashtu edhe nga Drejtoria e Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm. Sipas policisë, ai ishte shpallur në kërkim, pasi dyshohet si organizator i grupit të trafikut të drogës që u godit gjatë operacionit "Karaburun 2006", i realizuar pikërisht më 4 tetor të vitit 2006. Në këtë grup u arrestuan 16 persona, mes të cilëve edhe një korrier italian, që u kap në Portin e Durrësit, duke tentuar trafikimin e një sasie heroine. Në kuadër të këtij procedimi penal, për një periudhë kohe prej 3 muajsh, si rezultat i ndjekjes në dinamikë të veprimtarisë kriminale të personave të implikuar, është bërë e mundur që në gjashtë raste të mundësohet sekuestrimi i një sasie të konsiderueshme lënde narkotike marijuanë dhe heroinë, që arrin në masën 1 ton dhe të arrestohen bashkëpunëtorët në këtë aktivitet kriminal.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›