Arrestohet, plagosi tetë herë një 30-vjeçar
20/04/2005 TIRANË- Një 66-vjeçar, i dënuar edhe shtatë herë të tjera për plagosje dhe vrasje, është arrestuar ditën e djeshme, pasi ka plagosur për herë të tetë një 30-vjeçar. Burime nga Komisariati i Policisë Nr.1, thanë për “Metropol” se, Muharrem Veizoti, pas një grindjeje banale ka plagosur me thikë Ivan Domin, 30 vjeç. Në orët e darkës të së hënës, në lagjen “Pasho Hysa” është evidentuar një sherr, nga ku një i plagosur, që ndodhet për kurim në spitalin “Nënë Tereza”, Ivan Demi, i cili ishte disa metra më tej i shoqëruar me disa miq të tij. Policia tha se për një moment mes tyre filloi një grindje, nën efektin e pijes. Të dy janë sharë dhe janë përleshur me njëri-tjetrin deri në momentin që pronari i lokalit ka ndërhyrë për të ndarë sherrin. Për një moment të dy po qëndronin në tavolinat e tyre, ndërsa si shkëndijë e sherrit sërish ka shërbyer një fjalë fyese e njërit prej tyre. Përsëri e njëjta situatë, deri në momentin që 66-vjeçari ka nxjerrë një thikë dhe ka qëlluar dy herë me thikë Demin. Pronari i lokalit, së bashku me miqtë e tij, e kanë përcjellë të plagosurin në spitalin “Nënë Tereza” për kurim, ku mësohet se gjendja e tij është jashtë rrezikut për jetën. Sipas burimeve policore, shkaku i zënkave të njëpasnjëshme të Veizotit me Domin, ka qenë një grindje e vjetër midis tyre, ndërsa episodet e plagosjeve tashmë janë bërë të zakonshme për ta. Ndërhyrja e uniformave blu të Komisariatit numër 1, nuk ka mundur në asnjë rast "të shuaj zjarrin" midis tyre. Edhe pas prangosjes së Veizotit, sipas policisë, ai është betuar se nuk do ta linte me kaq dhe, pasi të dilte nga burgu do të përfundonte atë që kishte nisur. Në kompletimin e dosjes përmenden edhe dëshmitë e të pranishmëve në lokal gjatë plagosjes.