PNUD, takim me studentëtpër policimin në komunitet
20/04/2005 SHKODËR - Zyra rajonale SSSR\UNDP Shkodër, ka zhvilluar një tryezë të rrumbullakët në ambientet e Universitetit “Luigj Gurakuqi” të qytetit të Shkodrës. Qëllimi i kësaj tryeze, ku morën pjesë përfaqësues të pushtetit lokal, Drejtorisë Arsimore, përfaqësues të strukturave të policisë, të Universitetit dhe stafi i projektit, ishte vendosja e bazave të qëndrueshme për një bashkëpunim mes Fakultetit të Drejtësisë së këtij Universiteti dhe programit SSSR(mbështetje e reformave në sektorin e sigurisë). Nga kjo tryezë që kishte si synim shtjellimin e filozofisë së policimit në komunitet, u dol me propozime konkrete, ku u veçua organizimi i një konference ndërkombëtare, me partnerët ndërkombëtarë të Fakultetit të Drejtësisë në Shkodër, si dhe me pjesëmarrjen e aktorëve ndikues të vendit tonë. Në këtë konferencë synohet të trajtohen eksperiencat më të mira në rajon dhe më gjerë, lidhur me policimin në komunitet. Gjatë tryezës një rëndësi të veçantë mori futja e “Policimit në Komunitet”, si një lëndë fakultative në Fakultetin e Drejtësisë, pasi do të ndihmonte në përçimin e ideve të kësaj filozofie te studentët.