Pranohet zyrtarisht sëmundja ngjitëse e 6 ushtarëve

20/04/2005 TIRANË- Ministria e Mbrojtjes pranon se në repartin 44.60 në Tiranë është përhapur një sëmundje ngjitëse infektive. Të pyetur në rrugë telefonike rreth gjendjes së gjashtë ushtarëve të prekur nga kjo sëmundje, disa zyrtarë të lartë të këtij dikasteri thanë se, informacionet rreth shëndetit të tyre duhet të merreshin në spital, atje ku rekrutët janë kuruar. Sëmundja ngjitëse ka infektuar 6 ushtarë të repartit 44.60 në Tiranë dhe rrezikohet përhapja e saj në të gjithë efektivët e kësaj zone ushtarake, pasi shenjat që të prekurit shfaqnin ishin tepër shqetësuese. Rrudha të kuqe, të rrumbullakëta në bark e duar dhe skuqje në pjesë të tjera të trupit. Ky infeksion ka rreth katër ditë që ka pllakosur repartin 44.60, rreth 1 kilometër larg Kombinatit dhe masat për vizitën në repartin e infektivit në Spitalin Ushtarak u morën vetëm tri ditë më parë. Nga gjashtë ushtarët e sëmurë përmenden vetëm emrat e Altin Xhemollarit, Ardian Biçakut dhe Elvis Jashallarit, të cilët paraqiten më në vështirësi dhe pullat në trup janë zgjeruar së tepërmi. Gjatë një stërvitjeje në fshatin Vërtop të rrethit të Beratit, në të cilin terreni ishte tepër malor, disa nga ushtarët shfaqën shenja shqetësuese. Në fshat prej muajsh ishte përhapur një sëmundje e tillë, gjë për të cilën komandantët nuk kishin dijeni. Kështu që shenjat e para u shfaqën që në këtë zonë të thellë malore, ndërsa me mbërritjen e tyre në Tiranë, kruajtjet sa vinin dhe bëheshin më të shpeshta. Heshtja e ushtarëve dhe mungesa e kontrolleve shëndetësore ka bërë që faza e kësaj sëmundjeje të arrijë kulmet e saj, të cilat konsistojnë në kruajtje të shpeshta dhe skuqje të dendura. Mosparandalimi i tyre në kohë, sipas mendimit të mjekëve specialistë, sjell pasoja të rënda për shëndetin.