Shoqërohet në polici Bledar Mane, goditi policin
20/04/2005 TIRANË- Prishja e herëpashershme e orës së mësimit nga studenti i gazetarisë, Bledar Mane, i njohur si personazh problematik për uniformat blu, ka detyruar pedagogun e lëndës të thërrasë policinë. Efektivët e Komisariatit numër 1, gjatë shoqërimit të 30-vjeçarit në dhomat e paraburgimit, hasën në kundërshtimin me forcë të tij. Ngjarja ka ndodhur mëngjesin e djeshëm në Fakultetin e Histori-Filologjisë, kur Mane kundërshtoi me fjalë vlerësimin e pedagogut Ermal Hasimja, anëtar i KOP-it, në lëndën e teorisë së komunikimit. Disa herë më parë, protagonisti i disa ngjarjeve që ai vetë i publikoi në media të ndryshme, kishte debatuar me profesorin, ku i kërkonte vlerësim të drejtë. Ky i fundit i ishte përgjigjur se nota që Mane kishte marrë, ishte e drejtë, pasi dijenitë e tij nuk i kalonin kufijtë e kësaj note. Debate të këtij lloji janë përsëritur pesë herë me radhë, derisa ditën e djeshme gjendja u acarua së tepërmi, kur Bledar Mane, student në vitin e parë të degës së gazetarisë, filloi të ulëriste në mes të klasës me fjalë të tipit "drejtësi". Zëri i lartë shkaktoi zhurmë të madhe në klasë dhe pedagogu u detyrua të thërriste dekanin e fakultetit, Gjovalin Grudën, e ky i fundit lajmëroi policinë për të vepruar. Fillimisht erdhi vetëm një polic për të parë gjendjen, ndërsa Mane, sipas burimeve policore, është konfrontuar me të. Më pas u lajmërua grupi i gatshëm, i cili e shoqëroi në komisariat 30-vjeçarin, në akuzën e kundërshtimit me dhunë të forcave të policisë dhe prishje të qetësisë publike. Kjo është hera e dytë pas lirimit nga burgu, që Mane shoqërohet në Komisariatin nr.1.