Gjyqi i Bollanos, prokuroria kërkon kohë
Prokuroria e Vlorës ka kërkuar 15 ditë kohë për të vendosur se çfarë dënimi do të kërkojë për kryetarin e Bashkisë së Himarës, Vasillaq Bollano, të cilin e konsideron fajtor për shpërdorim të detyrës. Procesit gjyqësor ndaj kryetarit të Bashkisë së Himarës po i vjen fundi dhe pritet që në muajin mars të dilet me një vendim në lidhje me akuzën e ngritur ndaj tij. Dje në Gjykatën e Rrethit të Vlorës është zhvilluar seanca e radhës në ngarkim të Bollanos. Edhe në këtë seancë, vetë i pandehuri nuk ka qenë i pranishëm në sallë, por është përfaqësuar nga avokati i tij, Petraq Curri. Seancën e mëparshme, avokati Curri kishte kërkuar përjashtimin e trupit gjykues nga gjykimi i kësaj çështjeje, për shkak të njëanshmërisë gjatë zhvillimit të seancave, në dëm të procesit dhe të të akuzuarit. Por kjo kërkesë u rrëzua dhe procesi vazhdon të drejtohet nga gjyqtari që e ka filluar, Shkëlzen Selimi. Dje, Prokuroria e Vlorës duhet të jepte pretencën për të pandehurin Bollano, por përfaqësuesi i akuzës, Sokol Malaj, ka kërkuar kohë për t‘u përgatitur. Kërkesa e prokurorit është pranuar nga trupi gjykues, që i ka lënë 15 ditë në dispozicion për t‘u njohur me dosjen dhe dhënien e pretencës ndaj të akuzuarit Vasillaq Bollano, i akuzuar për shpërdorim detyre në urdhërimin e shkatërrimit të tabelave treguese rrugore nga zona e Llogorasë deri në Qeparo. Sipas Kodit Penal, shpërdorimi i detyrës, për të cilin akuzohet Bollano dënohet maksimalisht me 7 vjet burg. Neni 248 i Kodit Penal thotë: Kryerja ose moskryerja me dashje e veprimeve a mosveprimeve në kundërshtim me ligjin, që përbën mospërmbushje të rregullt të detyrës, nga personi që ushtron funksione publike, kur i kanë sjellë atij ose personave të tjerë përfitime materiale apo jomateriale të padrejta, a kanë dëmtuar interesat e ligjshëm të shtetit, të shtetasve dhe personave të tjerë juridikë, nëse nuk përbën vepër tjetër penale dënohet me burgim deri në shtatë vjet dhe me gjobë nga 300000-1000000 lekë.