Shqipëri-Mali i Zi, shkatërrohet rrjeti i drogës me 25 persona
Shkatërrohet një grup trafikantësh droge nga një operacion i përbashkët mes policisë shqiptare dhe asaj malazeze. Operacioni mes dy palëve është zhvilluar ditën e djeshme, ku mes të arrestuarve ndodhet edhe një oficer policie malazez, ndërkohë që janë sekuestruar 35 kg kanabis dhe 70 mijë euro. Burimet zyrtare nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit bënë të ditur se policia e Malit të Zi, në bashkëpunim me policinë shqiptare, kanë vënë në pranga 25 persona të dyshuar për prodhim dhe trafikim të lëndëve narkotike. Hetimi për arrestimin e këtyre personave kishte disa muaj që kishte filluar, por ditën e djeshme, falë bashkëpunimit ndërmjet dy policive, është bërë i mundur përfundimi i këtij operacioni. Ndër personat e arrestuar është një oficer policie i Malit të Zi dhe një zyrtar i Agjencisë së Sekuestrimit të Pasurive. Ndërmjet personave të arrestuar janë edhe organizatorët e grupeve trafikante, ndërkohë që aksioni është planifikuar dhe përfunduar në territorin e Malit të Zi. Sipas zëdhënësit të Policisë së Shtetit, të arrestuarit janë të gjithë shtetas të Malit të Zi, mes tyre edhe shqiptarë të atjeshëm. Nga hetimet dyshohet se shtetasit e arrestuar, për një kohë të gjatë kanë trafikuar kanabis nga Shqipëria nëpërmjet territorit të Malit të Zi, Bosnjës, Kroacisë në vendet e Evropës Perëndimore. Ky operacion u parapri nga një takim i zyrtarëve të Policisë së Malit të Zi, prokurorit special të luftës kundër krimit të organizuar me drejtues të lartë të Policisë Shqiptare dhe përfaqësues të Prokurorisë së Krimeve të Rënda. Në këtë takim, të dyja palët shkëmbyen informacione, të cilat çuan në përfundimin e këtij operacioni. Nga hetimet e deritanishme dyshohet se këta persona, gjatë vitit 2008 dhe fillimi i vitit 2009, kanë trafikuar një sasi të konsiderueshme kanabis. Në momentin e arrestimit janë sekuestruar 35 kg kanabis sativa, 70 mijë euro dhe 7 automjete.