E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjyqi për Lul Berishën shtyhet për të 52-ën herë

Për herë të 52-të është shtyrë paraditen e djeshme seanca gjyqësore për Lulëzim Berishën dhe të ashtuquajturën Banda e Durrësit. Dhe përsëri dështimi i këtij gjyqi ka ndodhur për shkak të mungesës së avokatëve mbrojtës edhe pse për këtë arsye, janë ndërruar disa herë. Vetëm 14 herë togat e zeza të Krimeve të Rënda, kanë mundur të zhvillojnë gjyqe për këtë bandë famëkeqe. Po në të njëjtën gjykatë pardje u regjistrua shtyrja e seancës së radhës për çështjen e masakrës së Qafë-Gjashtës në vitin 1997 në Sarandë. Ky veprim shkaktoi edhe irritimin e shumë dëshmitarëve, të cilët kërkuan të mos tallen më me ta, duke deklaruar para trupi gjykues se s‘do të vinin më të dëshmonin. Kjo ndodhi për të njëjtën arsye: atë të mungesës së avokatëve, të cilët krijojnë alibi të ndryshme për mungesën e tyre në sallë, shpeshherë të çuditshme. I njëjti precedent është krijuar edhe me gjyqin e Bandës së Lushnjës, ku protagonistë të dështimeve të seancave janë përsëri avokatët mbrojtës. Vetëm pak ditë më parë, ministri i Drejtësisë, Alibeaj, kërkoi rishikim të ligjeve për funksionimin e profesionit të avokatëve, sidomos në rastet kur ata qëllimisht shtyjnë gjyqet.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›