Arrestohet polici bashkiak për kanosje
Një oficer i policisë bashkiake në Kukës ka përfunduar në prangat e policisë kryeqytetase, pasi armën e shërbimit e ka përdorur për të kërcënuar një të njohurën e tij 20-vjeçare. Burimet zyrtare të Drejtorisë së Policisë së Tiranës bënë të ditur se rreth orës 21.30, u arrestua shtetasi Edmond Kamber Elezi, 35 vjeç, oficer i policisë bashkiake Kukës, me arsim 16 klasë, si edhe u sekuestrua arma e tij me leje. Nga të dhënat hetimore mësohet se rreth orës 14.30, në rrugën "Ali Baushi", për motive të dobëta ka kanosur me armë zjarri shtetasen Enkelejda C., 20 vjeçe, banuese në Tiranë. Policia tha se kërcënimi ka ardhur pas një konflikti që ka ndodhur mes këtyre dy personave.