Prezantohet strategjia e policimit në komunitet
Hartohet strategjia e policimit dhe e sigurisë në komunitetet e Policisë së Tiranës për vitin 2010. Ajo është prezantuar ditën e djeshme në një konferencë për shtyp mes policisë dhe grupeve të interesit. Sipas kreut të Policisë së Tiranës, Tonin Vocaj, mbetet për t‘u theksuar se situata e rendit ka qenë e qetë gjatë vitit 2009. "Në sajë të bashkëpunimit dhe përkushtimit total të të gjitha strukturave, progresi lidhur me goditjen e 189 rasteve të krimit të organizuar e të grupeve kriminale, si edhe progresi për garantimin e rendit publik në Tiranë, është i dukshëm, gjë që padyshim e ka rritur akoma më tepër besimin e komunitetit te policia", tha Vocaj. Më tej, u publikuan edhe shifrat për këtë vit, si edhe detyrat për vitin e ardhshëm, me qëllim rritjen e performancës së policimit në komunitet. Gjatë periudhës janar-shtator 2009, në Tiranë janë evidentuar 3893 vepra penale dhe u zbuluan 3184 prej tyre, ose 82%. Gjatë këtij 9-mujori, sektori kundër krimit të organizuar ka evidentuar 189 vepra penale, ku janë implikuar dhe proceduar penalisht 221 autorë, nga të cilët 109 janë arrestuar dhe 101 ndiqen në gjendje të lire. Ndërsa në fushën e krimeve ekonomiko-financiare janë evidentuar gjithsej 489 vepra penale, për të cilat janë proceduar penalisht 691 autorë. Në takim u cilësua se në Qarkun e Tiranës ka një diapazon të gjerë të kriminalitetit, por evidentohen si grup veprat më të përhapura, ato kundër pasurisë dhe në sferën ekonomike; ato kundër personit dhe vepra penale kundër rendit e sigurisë publike. Gjithashtu, në Qarkun e Tiranës evidentohet një numër i lartë i veprës penale të "shkeljes së rregullave të qarkullimit rrugor".